I deleguari i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Esocbar, ka thënë se nëse Kosova nuk dëshiron një Republikë të re Serbe si në Bosnje e Hercegovinë, atëherë “duhet të na japë një ide se çfarë dëshiron”.
Escobar, në një intervistë për gazetën austriake, Die Press, ka thënë se Kosova duhet të lëvizë menjëherë në këtë drejtim dhe të propozojë një draf-statut.
Sipas tij, Kosova duhet të lëvizë menjëherë dhe të dalë shpejt me një propozim për të formuar një asociacion serb të komunave. Beogradi, nga ana tjetër, duhet të sinjalizojë se dhuna nuk do të pranohet.
“Na thanë atë që nuk duan, tani ata duhet të na thonë atë çfarë duan. Ne jemi duke pritur për këtë. Kosova duhet të lëvizë menjëherë në këtë drejtim dhe të propozojë një draf-statut”, ka thënë Escobar.
Teksa pyetet për qëndrimin e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, në raport me implementimin e Asociacionit, diplomati amerikan thotë se një gjë e tillë “nuk varet nga ai”.
“Kjo nuk është çështje në mes të Kurtit dhe Serbisë. Kjo është një çështje ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë. Edhe nëse nuk e do Kurti, Asociacioni do të vijë. Pyetja është a dëshiron Kosova të presë integrimin euroatlantik derisa kryeministri i saj të përmbushë detyrimet e tij ligjore?”, ka pyetur ai.
Ai u pyet edhe për se çfarë duhet bërë për t’i ulur tensionet në mes të dy palëve.
“Ne duhet të thyejmë ciklin e dhunës. Qeveria e Kosovës nuk duhet t’i detyrojë kryetarët shqiptarë në veri të kalojnë nëpër zyra komunale, të cilat janë kaq simbolike për serbët. Megjithatë, puna administrative duhet të vazhdojë. Udhëheqja e Serbisë, nga ana tjetër, duhet të dërgojë mesazhin e qartë: Dhuna nuk do të tolerohet – jo kundër forcës paqeruajtëse të KFOR-it dhe jo kundër policisë. Dhe atëherë duhet të kërkojmë një mënyrë për të krijuar besim më të madh – edhe nëse kjo do të thotë zgjedhje të reja për kryetar bashkie”, tha Escobar.