I dërguari i Posaçëm i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, i ka hedhur poshtë afatet e përmendura për arritjen e një marrëveshjeje Kosovë-Serbi.
“Jo, absolutisht jo. Nuk e di nga ka ardhur, por nuk ka afate”, ka deklaruar Escobar.
Në një intervistë për televizionin publik serb, ai ka thënë se nuk është i vetëdijshëm se propozimi evropian kërkon një zgjidhje urgjente brenda disa javësh, por sipas tij, sigurisht që kërkon përparim shumë të shpejtë në dialog.
Po ashtu, ai ka thënë se ka një propozim franko-gjerman që ShBA-ja e mbështet.
“Është një propozim që duhet shqyrtuar dhe do të na ndihmojë të arrijmë progres në dialog shumë shpejt. Nuk kam vendosur asnjë afat për këtë, dhe ai propozim është ende në kuadër të dialogut të udhëhequr nga BE-ja. Së pari, nuk na takon ne të vendosim afate, por me sa di unë nuk i kanë vendosur as evropianët”, ka deklaruar ai.
Ndërsa, ai ka thënë se Evropa po përballet me një nga krizat më të mëdha që nga Lufta e Dytë Botërore dhe sipas tij, është e rëndësishme të konsolidojnë komunitetin e tyre, të krijojnë stabilitet në zonën evropiane duke u përballur me krizën në Ukrainë.
“Prandaj ideja e progresit drejt krijimit të një situate të qëndrueshme në Ballkan është absolutisht e rëndësishme në këtë moment. Sa më shpejt të shqyrtojmë mundësitë për ta arritur këtë, aq më mirë”, është shprehur ai.
Ai është pyetur edhe për datën 24 shkurt që u përmend, si afat për të arritur një marrëveshje në dialog, por ai ka deklaruar se nuk e din nga ka ardhur dhe se “absolutisht nuk është e vërtetë”.
“Nuk ka kërcënime, nuk janë planifikuar sanksione. Nga këndvështrimi ynë, edhe Serbia edhe Kosova janë partnerë të rëndësishëm, konstruktiv dhe e gjithë kjo duhet të bëhet në kuadër të dialogut të udhëhequr nga BE-ja”, ka thënë tutje ai.
Ndërkaq, për për çështjen e targave, Escobar ka thënë se biseda e tyre për këtë është ende në një fazë të ndjeshme. Dhe ai shpreson shumë që do të zgjasin afatin, dhe të pranojnë kërkesën e vendeve të QUINT-it dhe kërkesën personale të Sekretarit të Shtetit për ta shtyrë atë.
Përkundër kërkesës së emisarit amerikan, Gabriel Escobar, për shtyrjen e afatit për zbatimin e marrëveshjes për targa për 10 muaj, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, nuk ka ndërruar qëndrim në lidhje me këtë çështje.
Këtë, presidentja e Kosovës e ka bërë të ditur në një konferencë për media, teksa ka theksuar se një çështje e tillë ka të bëjë me sundimin e ligjit dhe luftën kundër korrupsionit.