I dërguari i posaçëm të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar ka deklaruar se pret që të ketë rezultate nga takimi i palëve Kosovë-Serbi në Ohër të Maqedonisë por jo edhe marrëveshje finale.
Një ditë para takimit në Ohër, Escobar ka deklaruar se pret përparim në aneksin e marrëveshjes.
“Rezultate do të kemi, por dëshiroj të tërheq vërejtjen se ndoshta nuk do të kemi marrëveshje finale. Do të punojmë drejt përfundimit të Aneksit, por pres shumë përparim”, ka deklaruar ai.
Sipas Escobarit, ndonëse kjo nuk mund të jetë ujdia më e mirë për palët, e njëjta i hap dyert që të dyjave.
“kushdo që e shikon këtë marrëveshje, nuk mund të mos befasohet se sa larg shkon ajo. Sa shumë i hap dyert për të dy vendet që të integrohen më afër në strukturat evroatlantike dhe rrjedhimisht në strukturat ndërkombëtare. Pra, nuk do të them se kjo nuk është një ndërmarrje ambicioze. Kjo është mjaft ambicioze. Kjo do t’i sjellë Serbinë dhe Kosovën më afër njëra-tjetrës, më afër rajonit dhe më afër Evropës. Pra, është mjaft e rëndësishme në shumë aspekte. Pra, kjo nuk është ujdia më e mirë, kjo është ujdi shumë e mire”, ka deklaruar ai për RTV21.
I pyetur se a mund të llogarisë Kosova në anëtarësimin e saj në NATO dhe në Partneritetin për Paqe me këtë marrëveshje, Escobar ka thënë se një gjë e tillë është absolutisht e mundshme dhe se marrëveshja i hap dyert kësaj mundësie.
Lidhur me çështjen e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe në Kosovë, Escobar ka thënë se pret që kjo qeveri të bëjë progrese në atë drejtim. Kohë më parë, i njëjti kishte deklaruar se “Asocacioni do të ndodhë”.
“Jo. Kjo ishte përgjigjja e një pyetjeje kur njerëzit më pyetën: Çka nëse kryeministri Kurti nuk e pranon atë? Por, në fakt, është obligim të cilin e ka marrë jo një njeri apo një parti, por një organ ndërkombëtar që është qeveria e Kosovës. Pra, shtrohet pyetja se kush do të jetë në krye kur të ndodhë? Sigurisht që pres që do të jetë kjo qeveri sepse na duhet progres menjëherë, por fakti është se për ne ju jeni anëtarë të komunitetit euroatlantik – nuk jeni pjesë të strukturave formale – por nënshkrimi juaj, nënshkrimi i liderëve tuaj të mëhershëm është i vlefshëm për ne, do të duhej të vlejë për ne dhe do të duhej të jetë i vlefshëm edhe për ju. Pra, çështja është se si të arrijmë aty duke e ditur se ky është fakt që do të ketë një Asociacion”, ka deklaruar ai.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, të shtunën e 18 marsit do të zhvillojnë një takim të nivelit të lartë në Ohër të Maqedonisë së Veriut.
Kryeministri Kurti dhe presidenti i Serbisë, Vuçiq tashmë kanë konfirmuar pjesëmarrjen e tyre në këtë takim.
I dërguari i posaçëm i Uashingtonit për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, do të marrë pjesë në cilësinë e vëzhguesit në rundin e ri të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, që do të mbahet më 18 mars në Ohër të Maqedonisë së Veriut.