I dërguari i posaçëm i Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, do të jetë për vizitë në Kosovë të mërkurën e 19 tetorit.
Sipas burimeve të RTV Dukagjini, Escobar pritet t’i takojë krerët e partive opozitare.
Ndryshe, më 23 gusht, emisari amerikan Escobar është takuar me liderët e partive opozitare në rezidencën e ambasadorit amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier.
Në këto takime, Escobar kishte kërkuar që përshkallëzimi i situatës së 31 korrikut në veri të evitohet, duke u koordinuar me bashkësinë ndërkombëtare.
Vizitat e emisarëve në Kosovë janë bërë të shpeshta në muajt e fundit.
Para disa ditësh, përfaqësuesi i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak ishte për vizitë në Kosovë.
Lajçak ishte pritur në takim nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.
Pas takimit, ai ka thënë se është diskutuar për dialogun dhe se është mirë që të ketë progres dhe normalizim në dialogun Kosovë-Serbi para zgjedhjeve në Bashkimin Evropian dhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, sepse do ta zhvendosin vëmendjen prej dialogut.