I dërguari i posaçëm i Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar sot (e mërkurë) do të jetë për vizitë në Kosovë.
Emisari në takim do të pritet nga presidentja e vendit, Vjosa Osmani, takim ky që do të fillojë në orën 08:45.
“Në orën 08:45, presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani pret në takim zëvendës Ndihmës Sekretarin e Shtetit të SHBA-ve, njëherësh të dërguarin amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar. Pas takimit, Presidentja Osmani dhe z. Escobar, do të kenë deklaratë për media”, thuhet në njoftimin e presidencës.
Ndërkaq, një orë pas takimit me të parën e vendit, emisari do të takohet edhe me kryeministrin, Albin Kurti.
“Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, pret në takim Zëvendës Ndihmës Sekretarin e Shteteve të Bashkuara për Çështje Evropiane dhe Euroaziatike dhe njëherësh të dërguarin e posaçëm të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar”, thuhet në njoftimin e kryeministrisë.
Përveç krerëve të shtetit, emisari amerikan pritet të takohet edhe me liderët e partive opozitare.
Vizitat e emisarëve në Kosovë janë bërë të shpeshta në muajt e fundit.
Para disa ditësh, përfaqësuesi i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak ishte për vizitë në Kosovë.
Lajçak ishte pritur në takim nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.
Pas takimit, ai ka thënë se është diskutuar për dialogun dhe se është mirë që të ketë progres dhe normalizim në dialogun Kosovë-Serbi para zgjedhjeve në Bashkimin Evropian dhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, sepse do ta zhvendosin vëmendjen prej dialogut.