Të premten e 17 marsit, i dërguari i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për dialogun Kosovë-Serbi, Gabriel Escobar, do të jetë në Prishtinë për t’u takuar me liderët e shtetit.
Kjo vizitë vjen vetëm një ditë para takimit të 18 marsit në Ohër të Maqedonisë së Veriut dhe pas takimeve në Beograd.
Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu, ka bërë të ditur për Portalin Dukagjini se takimi ndërmjet kryeministrit Kurti dhe të dërguarit të SHBA-së Escobar do të mbahet të premten.
“Kryeministri Kurti nesër pritet të ketë takim me të dërguarin e ShBA-ve, z. Escobar”, tha Kryeziu.
Ndryshe, ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Kosovë, Jeffrey Hovenier, ka thënë se plani i Bashkimit Evropian për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi “është marrëveshja më e mirë në dispozicion”.
“Është një marrëveshje e përkohshme, dhe SHBA-ja qëndron fuqishëm prapa saj dhe me një pozicion që e kemi mbajtur prej vitesh, se presim marrëveshje përfundimtare, me njohjen reciproke në qendër. Ky është objektivi. Kjo na çon shumë më afër tij”, u shpreh Hovenier.
Sipas tij, gjasat për njohje reciproke midis Kosovës dhe Serbisë “nuk janë shumë të mëdha” tani, për shkak të qëndrimit të Serbisë, por kujtoi se plani i BE-së është i përkohshëm.
Hovenier i bëri komentet në një takim me gazetarë, të mërkurën në Prishtinë.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, e kanë pranuar në parim planin e BE-së, i cili nuk parasheh njohje të ndërsjellë mes dy vendeve, por angazhimin e palëve që të mos e pengojnë njëra-tjetrën në proceset integruese.
Hovenier tha se fokusi kryesor i tyre tani duhet të jetë te “zbatimi i suksesshëm dhe efektiv” i planit – për ç’gjë Kurti dhe Vuçiq do të takohen më 18 mars në Ohër të Maqedonisë së Veriut.
Ai tha se, këtë herë, është ndryshe sa i përket zbatimit, për shkak të, siç u shpreh, nivelit të angazhimit politik, mbështetjes dhe seriozitetit.
Nëse Kosova kontribuon në mënyrë konstruktive në këtë drejtim, tha ai, SHBA-ja “do t’i ripërtërijë përpjekjet” për ta ndihmuar vendin që t’i bashkohet Partneritetit të NATO-s për Paqe.
Megjithatë, ai tha se nuk mund të garantojë se aspiratat që ka populli i Kosovës do të përmbushen menjëherë, për faktin se, siç u shpreh, NATO-ja merr vendime me konsensus.
Hovenier tha se SHBA-ja do të kërkojë edhe nga BE-ja që të angazhohet për të siguruar zbatimin e duhur të planit.
I pyetur nëse ka hapësirë për të rinegociuar ose për të krijuar Asociacionin e komunave me shumicë serbe në Kosovë në bazë të kushteve të Kurtit, Hovenier tha se “është e vështirë të rinegociosh diçka që ende nuk është negociuar vërtet”.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, pritet të takohen në Ohër të Maqedonisë së Veriut më 18 mars, për të diskutuar zbatimin e planit 11-pikësh të BE-së.
Dy udhëheqësit u dakorduan muajin e kaluar se përmbajtja e tij nuk ka nevojë të diskutohet më tej.
Plani i BE-së nuk e obligon Serbinë që ta njohë pavarësinë e Kosovës, por dy vendet do t’i njihnin dokumentet e njëra-tjetrës, si: pasaportat, diplomat dhe targat.
Serbia, gjithashtu, nuk do ta bllokonte anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare.
Plani, po ashtu, u kërkon palëve që t’i zbatojnë të gjitha marrëveshjet e arritura deri më tash në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve, përfshirë atë për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë.
Qeveria e Kosovës refuzon ta formojë, duke argumentuar se asociacionet njëetnike shkelin Kushtetutën e saj dhe kërcënojnë funksionalitetin e shtetit. Ndërsa, qeveria e Serbisë, në anën tjetër, e sheh Asociacionin si mbrojtje të rëndësishme për serbët në Kosovë.