Prokuroria e Kosovës, dega në Gjakovë ka ngritur një aktakuzë ndaj një burri, i cili dyshohet se ka rrahur bashkëshorten e tij, më datën 17 gusht të 2022 në Komunën e Gjakovës.
Sipas njoftimit të Prokurorisë Themelore në Gjakovë, thuhet se i dyshuari M.M është arrestuar për veprën penale ‘Lëndim i lehtë trupor’, pasi i njëjti me dashje i shkakton lëndime trupore së dëmtuarës, M.B., bashkëshortes së tij, e cila është viktimë e ndjeshme, grua shtatzënë.
“Prokuroria Themelore në Gjakovë ka ngritur aktakuzë kundër të pandehurit M.M., për shkak të veprës penale “Lëndim i lehtë trupor”, nga neni 185 paragrafi 3, nen paragrafi 3.1, lidhur me paragrafin 1, nen paragrafin 1.4, të Kodit Penal të Republikës së Kosovës”, thuhet në komunikatën Prokurorisë themelore të Gjakovës.
Nga njoftimi i prokurorisë bëhet e ditur se deri te konflikti kishte ardhur për shkak të djalit të tyre 1-vjeçar.
“I pandehuri revoltohet dhe fillon ta sulmojë fizikisht të dëmtuarën, duke e goditur me grushte në kokë e pjesë të ndryshme të trupit, me ç ‘rast, së dëmtuarës i shkakton ndrydhje të indeve të buta të regjionit të kokës dhe të krahut, lëndime këto të përshkruara nga eksperti mjeko-ligjor”, kanë shtuar në komunikatën për media.
Tutje, bëhet e ditur se për të pandehurin M.M, nga prokurori i rastit është kërkuar që të dënohet sipas ligjit për veprën penale e cila i vihet në barrë.