Estonia ka thënë të mërkurën se është “e gatshme” ta mbyllë kufirin e vet me Rusinë, pas vendimit të Finlandës për ta bërë një gjë të tillë.
Ministri i Jashtëm i Estonisë, Margus Tsahkna, tha se situata në kufirin e Finlandës, e cila është përballur me një valë të madhe emigrantësh pa dokumente në javët e fundit, është “një sulm flagrant hibrid nga Rusia”.
Sipas Ministrisë së Jashtme të Estonisë, Tsahkna theksoi se shteti baltik “është i gatshëm ta mbyllë kufirin me Rusinë dhe ta mbrojë veten kundër çfarëdo sulmi hibrid”.
Estonia, ish-republikë sovjetike, është tani një përkrahëse e madhe e Ukrainës në luftën e saj kundër pushtuesit rus.
“Kjo është një dëshmi tjetër se Rusia nuk po e lufton vetëm Ukrainë, por ajo përbën kërcënim ndaj vendeve të tjera me sulmet e saj hibride”, tha Tsahkna, duke iu referuar situatës në Finlandë, gjatë takimit të ministrave baltikë dhe nordikë në Bruksel, shkruan Rel.
Qeveria e Estonisë tha në një komunikatë për media se ministrat theksuan gjatë takimit se janë të gatshëm ta ndihmojnë Helsinkin, nëse është e nevojshme.
Të martën, Finlanda njoftoi se e ka mbyllur kufirin me Rusinë, me të cilën e ndan një kufi 1.340 kilometra të gjatë.
Kufijtë finlandezë dhe estonezë me Rusinë janë kufij të jashtëm të Bashkimit Evropian dhe të NATO-s.