Misioni i Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX) ka mirëpritur uljen e tensioneve në pjesën Veriore të Kosovës dhe rivendosjen e lirisë së lëvizjes për të gjithë ata që jetojnë dhe punojnë në katër komunat veriore, gjersa ka theksuar se po monitoron nga afër rastin e Pantiq.
Përmes një komunikate, EULEX thotë se monitorimi i rastit të Pantiq, po ndodh për të vlerësuar trajtimin e rastit nga Policia e Kosovës.
“Në përputhje me mandatin e tij, i cili parasheh një monitorim të fuqishëm të gjithë zinxhirit të drejtësisë, EULEX-i është duke e monitoruar nga afër edhe rastin e D.P. për të vlerësuar se si është duke u trajtuar ky rast nga autoritetet e Kosovës”, ka deklaruar EULEX.
Siç dihet, serbët bojkotuan institucionet e Kosovës më herët këtë vit. Lidhur me këtë, Misioni thotë se EULEX-i mund ta plotësojë këtë vakuum vetëm pjesërisht përmes pranisë së shtuar në terren.
“Megjithatë, vakuumi i sigurisë dhe i sundimit të ligjit i krijuar pas dorëheqjeve të policëve, prokurorëve, gjyqtarëve dhe personelit mbështetës serb të Kosovës vazhdon. EULEX-i mund ta plotësojë këtë vakuum vetëm pjesërisht përmes pranisë së shtuar në terren, por Misioni nuk mund ta zëvendësojë Policinë e Kosovës apo ndonjë autoritet tjetër të sundimit të ligjit. Prandaj, kthimi në marrëveshjet përkatëse të Dialogut që e rregullojnë integrimin në Policinë e Kosovës dhe në gjyqësor është esencial”, thuhet në njoftimin e Misionit.
Gjithashtu, theksohet se që nga dita e parë ka mbështetur institucionet e sundimit të ligjit të Kosovës, në ruajtjen e stabilitetit të saj dhe sigurisë së të gjitha komuniteteve të saj në koordinim të ngushtë me Policinë e Kosovës dhe njëherit, me KFOR-in. Krahas kësaj, Misioni rëndit rastet për të cilat avokoi.
“Në veçanti, Misioni avokoi për mbrojtjen e të drejtave themelore të D. P. nga autoritetet e Kosovës, lehtësoi transportin e barnave të D.P., kreu dy ekzaminime mjekësore të D. P. më 17 dhe 24 dhjetor, me kërkesë të autoriteteve përgjegjëse të Kosovës, ofroi mbështetje për Policinë e Kosovës për transferimin e D.P. në vendbanimin e tij më 28 dhjetor, pas një kërkese zyrtare të autoriteteve të Kosovës dhe në përputhje me vendimin për vendosjen e D.P. në arrest shtëpiak”, thuhet në njoftim.
Prokuroria Speciale e Kosovës nëpërmjet një njoftimi për media, ka bërë të ditur arsyet se pse e kanë ndërruar masën e sigurisë për ish-policin e Kosovës, Dejan Pantiq.
Nga Prokuroria Speciale kanë thënë se meqë Pantiq s’ka mundur të dërgohet në paraburgim siç kërkohet me ligj, dhe meqë EULEX-i ka konstatuar gjendjen jo të mirë të tij, atëherë bazuar në aspektin shëndetësor dhe human, kanë propozuar që ai të lirohet në arrest shtëpiak.
Arrestimi i Pantiq nga Policia e Kosovës ka ndodhur të shtunën e 10 dhjetorit, në Jarinjë, ndërsa strukturat paralele dhe kriminale të serbëve nga veriu i Kosovës, po grumbulloheshin dhe po vendosnin barrikada në terren.