EULEX-i në një përgjigje për Portalin Dukagjini ka bërë të ditur se vendimi i Qeverisë së Kosovës për t’i shpallur organizata terroriste “Mbrojtjen Civile” dhe “Brigadën e Veriut” nuk ka qenë i koordinuar.
Kjo përgjigje e tyre vjen pas deklaratës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës (ShBA) dhe Bashkimit Evropian se ky vendim nuk ka qenë i koordinuar.
“Vendimi i Qeverisë së Kosovës për t’i shpallur organizata terroriste “Mbrojtjen Civile” dhe “Brigadën e Veriut” nuk ka qenë i koordinuar”, thuhet në përgjigjen e EULEX-it.
Ndryshe, më 29 qershor, Shtetet e Bashkuara kanë bërë të ditur se “Vendimi i Qeverisë së Kosovës për të shpallur këto grupe si organizata terroriste nuk ka qenë i koordinuar me SHBA-në dhe partnerët e tjerë ndërkombëtarë”.
Lexo edhe, ShBA: Shpallja e dy organizatave në veri si terroriste, vendim i pakoordinuar
Ngjashëm edhe BE-ja ka theksuar se vendimi i Qeverisë së Kosovës për të shpallur “Mbrojtjen Civile” dhe “Brigadën e Veriut” si organizata terroriste, është “hap i njëanshëm” që sipas BE-së, nuk i kontribuon uljes së tensioneve.
Lexo edhe, BE: Shpallja e dy organizatave në veri si terroriste, hap i njëanshëm
Më 29 qershor, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës të mbajtur të enjten, i ka shpallur terroriste organizatat, “Mbrojtjen Civile” dhe “Brigada e Veriut” – të cilat operojnë në pjesën veriore të vendit, të banuar me shumicë serbe.
Lexo edhe: “Mbrojtja Civile” dhe “Brigada e Veriut” shpallen organizata terroriste
Ndërkaq, që nga fundi i majit, tensionet në veri janë rritur.
Serbët në Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok po kundërshtojnë që kryetarët e rinj shqiptarë të punojnë nga ndërtesat komunale.
Ata po ashtu po kërkojnë tërheqjen e njësive speciale të Policisë së Kosovës nga veriu.
Që nga ajo kohë, në veri janë shënuar disa incidente me shok-bomba dhe granata dore si dhe më 29 maj në Zveçan protestuesit serbë janë përleshur me pjesëtarët e KFOR-it.
Nga këto përleshje kanë mbetur të lënduar dhjetëra persona nga të dyja palët.
Bashkësia ndërkombëtare i ka kërkuar Kosovës dhe Serbisë të ndërmarrin hapa të menjëhershëm që të ulen tensionet në veri.
Kosovës po i kërkohet që të organizojë zgjedhje të reja në katër komunat veriore, ndërkaq Serbisë që të bindë serbët që të marrin pjesë në procesin zgjedhor.