Euronews: Vizat – faza e parë e sanksioneve ndaj Kosovës nëse Kurti s’i bindet kërkesës ndërkombëtare

Faza e parë e sanksioneve do të përfshinte ngrirjen e të gjitha fondeve të BE-së, procesin e liberalizimit të vizave, procesin e anëtarësimit në Këshillin e Evropës, fondet amerikane dhe projekte të tjera të financuara nga Perëndimi

Ilustrim

Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Europian po shqyrtojnë mundësinë e masave kundër Kosovës, në rast se nuk përmbush detyrimet e saj dhe nuk qetëson situatën në veri të vendit, përfshirë këtu edhe sanksione ndaj kryeministrit Albin Kurti dhe ministrit të brendshëm, Xhelal Sveçla, sipas një teksti të qeverisë amerikane, të siguruar nga Euronews Albania.

Faza e parë e sanksioneve do të përfshinte ngrirjen e të gjitha fondeve të BE-së, procesin e liberalizimit të vizave, procesin e anëtarësimit në Këshillin e Evropës, fondet amerikane dhe projekte të tjera të financuara nga Perëndimi.

Faza e dytë do të ishte qëndrimi pasiv i aleatëve të Kosovës ndaj fushatës së Serbisë për mosnjohjen e shtetit të Kosovës, një riorganizim i prezencës ushtarake ndërkombëtare dhe një reduktim në shkallë të gjerë i kontigjentit amerikan në Kosovë, si dhe përjashtimi i Kosovës nga organizata të caktuara ndërkombëtare.

Dokumenti gjithashtu parashikon sanksione individuale ndaj kryeministrit Albin Kurti dhe ministrit të brendshëm, Xhelal Sveçla, nëse situata në terren degradon më tej. Kjo mund të përfshijë shpalljen nongrata të dy zyrtarëve, “me justifikimin se ata janë një kërcënim për sigurinë dhe paqen”.

Dokumenti thotë se “komuniteti ndëratlantik ka një nevojë jetësore për të mos lejuar një krizë pas linjave të kontaktit me Rusinë… me bindjen se problemet do të dilnin nga ana e Serbisë pas planit franko-gjerman, si pala më kokëfortë dhe jokonstruktive në dialog”.

Teksti vijon, “askush nuk e priste që do të ishte Qeveria e Kosovës, ajo që me veprimet e saj do ta nxiste pasigurinë dhe do të ushqente konflikte dhe kriza”.

Më tej, teksti thotë se komunitetit ndërkombëtar i ka mbaruar durimi dhe kërkon “një përgjigje të qartë nga Qeveria e Kosovës: është apo jo partnere e komunitetit ndëratlantik?”

Të qenit partner nënkupton përmbushje të pakushtëzuar të të gjitha detyrimeve dhe “dështimi për ta bërë këtë nënkupton pasoja” sipas tekstit.

Përveç kritikave për qeverinë aktuale, dokumenti hedh kritika edhe ndaj opozitës së Kosovës dhe i akuzon ata “se kanë dështuar të kuptojnë seriozitetin e situatës dhe rrezikun e vërtetë për Kosovën”.

Në dokument thuhet se opozita duhet të dalë me një qëndrim të qartë nëse është pro përmbushjes së detyrimeve të Kosovës në procesin e dialogut.

“Fakti që opozita nuk e ka bërë këtë, sjell mosbesim dhe projekton oportunizëm,” shkruhet në tekst.

Në fund thuhet se “nëse Kosova nuk përmbush detyrimet e saj, ajo rrezikon të ardhmen”.

Euronews Albania iu drejtua për koment Komisionit Europian, nëse janë të vetëdijshëm për dokumentin dhe janë dakord me të tilla masa të mundshme.

Një zëdhënës i Komisionit u përgjigj “Ne nuk komentojmë për rrjedhje dokumentash të pretenduara, dhe në veçanti për diçka që pretendon të jetë një dokument i një vendi të tretë në lidhje me veprime të supozuara të BE-së.”

Shija e redaktorit

Të martën “Dukagjini” promovon librin “Kape Lepurin” të Lana Bastašić-it

Për të gjithë ju dashamirë të librit, shtëpia botuese “Dukagjini” ka njoftuar se më 26 nëntor, ditën e martë, në orën 18:00, në librarinë...

Hamza: Me Fondin e Papunësisë do t’i mbështesim të gjithë...

Kandidati i PDK-së për Kryeministër, Bedri Hamza, ka dhënë një lajm të mirë për të gjithë punëtorët që i humbin vendet e punës. “Me...

Shtëpia Botuese “Dukagjini” Promovon në Tiranë serinë e Lektyrave Shkollore

Në ditën e katërt të edicionit të 27-të Panairit të Librit në Tiranë, Shtëpia Botuese “Dukagjini” promovoi serinë e lektyrave shkollore, e cila këtë...

Të fundit nga rubrika