Bordi i Drejtorëve të KOSTT sh.a në mbledhjen e mbajtur të enjten e 6 tetorit ka vendosur në mënyrë unanime që të emëroj Kryeshef Ekzekutiv të KOSTT z.Evetar Zeqiri.
Me rastin e zgjedhjes në këtë pozitë, Zeqiri ka thënë që me besimin që i është dhënë do të shtyej përpara misionin e kësaj ndërmarrjeje e cila ka rol të rëndësishëm në sektorin e energjisë.
“Jam i nderuar me besimin që më është dhënë nga Bordi i Drejtorëve për të udhëhequr KOSTT-in, një ndërmarrje me rol jashtëzakonisht të rëndësishëm në sektorin e energjisë. Me përkushtim maksimal do të shtyej përpara misionin e KOSTT në funksion të sigurisë së furnizimit me energji elektrike për shoqërinë dhe ekonominë vendore, operim të sigurtë dhe të besueshëm të Sistemit të Transmetimit dhe të integruar në tregun rajonal dhe evropian”, ka thënë ai.
Ndër të tjera ka shtuar se KOSTT do të bëhet një shembull i menaxhimit të ndërmarrjeve publike.
“Jam i vendosur që përmes praktikave më të mira të qeverisjes, KOSTT të jetë shembull i menaxhimit të ndërmarrjeve publike në Kosovë si dhe jam i përkushtuar që përmes planifikimit strategjik KOSTT të luaj rol të rëndësishëm në procesin e tranzicionit të drejtë të energjisë”, ka shtuar
Evetar Zeqiri ka studiuar për Master në Administrim Publik (MPA) në Menaxhim Strategjik dhe Lidership, në Universitetin e Illinoisit Verior, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si bursist i programit për Lidership Transformues, program ky i bashkë financuar nga Qeveria Amerikane përmes USAID dhe Qeveria e Kosovës.
Zeqiri ka një sërë kualifikimesh profesionale me renome vendore dhe ndërkombëtare, si i çertifikuar si Auditor i Çertifikuar i Sektorit Publik nga Shoqata e Kontabilistëve të Çertifikuar dhe Auditorëve të Kosovës, i Çertifikuar si Auditor i Brendshëm i Sektorit Publik nga Ministria e Financave në Kosovë.
Ai po ashtu është anëtarë i plotë në CIPFA & CMI (U.K), dy shoqata ndërkombëtare profesionale në fushën e menaxhimit, financave, kontabilitetit dhe auditimit.