Familjes së policit të vrarë në sulmin terrorist të së dielës në Banjskë të Zveçanit, i është ndarë medalja “Mburojë e Policisë”.
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës Gazmend Hoxha gjatë vizitës te familja Bunjaku, tha se në kohë të vështira Policia e Kosovës do ta mbështesin familjen e rreshterit Bunjaku.
“Drejtori i Përgjithshëm i Policisë Kolonel Hoxha, familjes së heroit Afrim Bunjaku i ndau medaljen “Mburojë e Policisë”, si dhe në emër të ministrit të punëve të brendshme të Republikës së Shqipërisë z. Taulant Balla i dorëzoi flamurin e Republikës së Shqipërisë si nderim për veprën heroike të rreshter Afrim Bunjaku”, thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës.
Rreshteri Afrim Bunjaku, u vra nga një grup i armatosur terrorist në Banjskë të Zveçanit. Në këtë sulm terrorist kundër Policisë së Kosovës, ka marrë pjesë edhe nënkryetari i Listës Serbe, krimineli, Milan Radojçiq.
Si kundërpërgjigje Policia e Kosovës, i ka vrarë katër terroristë serbë, disa janë arrestuar dhe disa përfshirë edhe Radojçiq kanë arritur të arratisen.