Ministrja e Jashtme e Sllovenisë, Tanja Fajon, ka deklaruar sot në Bruksel se do të diskutohet me aleatët për situatën në Ballkanin Perëndimor gjatë takimit të ministrave të jashtëm të shteteve anëtare të Aleancës.
Ajo ka theksuar se Sllovenia po i ndjek nga afër ngjarjet në rajon.
Fajon u shpreh se, duke qenë se Ballkani Perëndimor është fqinji i drejtpërdrejtë i Sllovenisë, situata në Kosovë, Serbi dhe Bosnjë e Hercegovinë, pas zgjedhjeve, është në fokus të vëmendjes.
“Unë do të përqendrohem në Ballkanin Perëndimor, i cili është në fqinjësi të afërt me Slloveninë. Po i përcjellim ngjarjet në Serbi, Bosnjë-Hercegovinë, si dhe në Kosovë pas zgjedhjeve”, ka thënë Fajon të enjten.
Përsa i përket Bosnjë-Hercegovinës, ajo theksoi se Sllovenia po monitoron me kujdes zhvillimet atje dhe shpreson që ky vend të mbetet në rrugën evropiane dhe pa tensione.
Në këtë takim në Bruksel, përveç ministrave të jashtëm të 32 shteteve anëtare të NATO-s, do të marrin pjesë edhe Ministri i Jashtëm i Ukrainës, Andriy Sibiha, Përfaqësuesja e Lartë e BE-së për Politikën e Jashtme dhe Sigurinë, Kaja Kallas, si dhe përfaqësues nga vende partnere të rajonit Indo-Paqësor si Australia, Japonia, Zelanda e Re dhe Koreja e Jugut.