Ministrja e Punëve të Jashtme të Sllovenisë, Tanja Fajon, të hënën e 23 janarit është takuar me përfaqësuesin special të Bashkimit Evropian, për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.
Takimi u zhvillua pak para fillimit të mbledhjes së Këshillit të Punëve të Jashtme.
Fajon dhe Lajçak shkëmbyen mendime për situatën në Ballkanin Perëndimor, veçanërisht pas vizitës së fundit të Fajon në Bosnjë e Hercegovinë, Mal të Zi dhe Kosovë.
“Përpara mbledhjes së Këshillit të Punëve të Jashtme, ministrja sllovene, Tanja Fajon, është takuar me Përfaqësuesin Special të #BE për Dialogun Beograd-Prishtinë, Miroslav Lajçak. Ata shkëmbyen mendime mbi situatën në Ballkanin Perëndimor, veçanërisht në dritën e vizitave të fundit të shefes së diplomacisë, Fajon në Kosovë, Mal të Zi, Bosnje dhe Hercegovinë”.
Before the #FAC, Minister @tfajon met with #EU Special Representative for the Belgrade-Pristina Dialogue @MiroslavLajcak. They exchanged views on the situation in the #WesternBalkans, especially in the light of the latest visits of the FM Fajon to #BiH, #Montenegro & #Kosovo. pic.twitter.com/ROtcAv1c8M
— MFA Slovenia (@MZZRS) January 23, 2023
Ndryshe, zëvendëskryeministrja dhe ministrja për Punë të Jashtme të Sllovenisë, Tanja Fajon, ka thënë se Sllovenia e përkrah dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, dhe se vendet duhet t’i nisin negociatat për planin franko-gjerman në kuadër të dialogut.
Në një konferencë të përbashkët për media me ministren e Jashtme në Kosovë, Donika Gërvalla, Fajon ka theksuar se Sllovenia është krah Kosovës, dhe, sipas saj, negociatat duhet të zhvillohen shpejt.
“Çdo situatë e krizës rrezikon imazhin e shtetit dhe për këtë duhet të mos futemi në këtë. I jam ofruar për të ndihmuar në normalizimin mes shteteve. Siç e dini, Sllovenia e mbështet dialogun mes Kosovës dhe Serbisë. Dhe gjithmonë flasim kur bëhen gjendje të reja. Në prill do të kemi zgjedhje që këto në pjesën veriore duhet të jenë të lirë dhe të ndershme”, deklaroi ajo.
Fajon ka folur edhe për situatën në veri të Kosovës.
“Duam që jeta të bëhet sa më e thjeshtë, e për këtë mund të ndihmojmë, pasi lufta në Ukrainë e ka theksuar dëshirën që të arrijmë që Kosova të bëhet më stabile. Kurse për atë siç e keni parë propozimin, Kosova besoj do të ulet në tavolinën e bisedimeve dhe të flasë për normalizimin me Serbinë dhe këto negociata të bëhen sa më të shpejta”.
Po ashtu, ajo ka potencuar se Sllovenia e mbështet Kosovën për aplikimin e saj për anëtarësim në Këshillin e Evropës.