Dyert janë të hapura, por në mëngjesin e së shtunës, lëvizje ka fare pak në shtëpinë familjes së të ndjerës Liridona Ademaj-Murseli.
Aty nuk është vendosur fotografia e saj, por babai, vëllezërit dhe familjarë të tjerë po presin njerëz për ngushëllime.
Rrethanat e errëta që dolën në shesh veç një natë më parë për vrasjen e saj, e kanë rënduar akoma më shumë dhimbjen e familjarëve të viktimës 30-vjeçare.
E asnjë nga ta nuk kanë pasur asnjë fije dyshimi se bashkëshorti i saj do të përfundonte në prangat e policisë si i dyshuar për porositjen e vrasjes së Liridonës.
“Kërkush s’din gja, shumë mirë janë kanë tu jetu, qysh ka ardhë deri te ky rast veç zoti e din. Pardje u kon në shpi tonë këtu Naimi, kush ka dyshu për ta, kujt i ka shku mendja”, ka thënë Mujë Ademaj – Axha i Liridonës.
Familja nuk po e pranon dot faktin që trupi i saj të qëndrojë pranë varrezave të familjes Murseli në fshatin e bashkëshortit, ku u varros një ditë më parë.
Andaj kanë kërkuar nga institucionet zhvarrimin e saj, për rivarrim në fshatin e familjes.
“E vërtetë është ajo, se mohojmë, është bijë e jona, na dojmë me pru në vendin tonë”, vijon ai.
Ndërsa vëllai i Liridonës i ka thënë televizionit, se procesin e rivarrimit duan ta bëjnë përmes rrugëve ligjore, andaj do të presin procedurat institucionale që do kryen përgjatë javës së ardhshme.
Ndërkohë e rëndë ndihet gjendja edhe në shtëpinë e Naim Murselit, aty ku po qëndrojnë fëmijët e tij dhe tashmë viktimës.
Gatishmëri për të folur nuk kanë, veçse tregojnë që aktualisht aty po qëndrojnë numër i konsiderueshëm i zyrtarëve të Qendrës për Punë Sociale, duke u marrë me fëmijët që ishin prezent në natën kritike.
E rëndë është atmosfera e secilës shtëpi, anëtarë të së cilëve u përfshinë në këtë krim të tmerrshëm.
Vëllai i të arrestuarit të tretë, pjesëtarit të FSK-së i ka treguar mediave se posedon dëshmi që vëllai i tij ka qenë në shtëpi në natën e krimit.
Veçse ai shton se gjithsecili që është përfshirë në këtë ngjarje makabre duhet të dalë para drejtësisë.
“Mundem me ju siguru që natën kritike, vëllau ka qenë tek shtëpia e axhit këtu, i kam edhe kamerat, kur kemi marrë vesh për lajmin ai bashkë me babën, axhën janë nisë, në Prishtinë me shiku cka ka ndodhë, më shumë nuk dijmë asgjë, deri nesër që dalin para gjykatës nuk jemi në dijeni për asgjë”, ka deklaruar vëllau i të arrestuarit të tretë, Kanon Kokalla.
E pamundur ishte qasja veç në njërën shtëpi, atë të personit që po dyshohet që kreu aktin, në këmbim të 30 mijë eurove.
Televizioni ka komunikuar me Institutin e Mjekësisë Ligjore për të kuptuar nëse në adresën e tyre ka ardhur kërkesa për zhvarrim. Ky institucion ka thënë se tashmë ka kryer procedurat që i ka si përgjegjësi, ndërkaq sipas tij, ceremoninë e zhvarrimit familja mund ta bëjë përmes Bashkësisë Islame të Kosovës.
Por IML-ja shton se nëse do të ketë një kërkesë nga Prokuroria apo gjykata, ata edhe mund ta marrin përsipër.