Për disa muaj 71 vjecari F. Krasniqi nga komuna e Suharekës, u trajtua në spitalin e përgjithshëm të Prizrenit, konkretisht në repartin e Urologjisë.
Atë e trajtoi urologu, Fatos Shukriu i cili ishte edhe në operacionin e datës 13 dhjetor të vitit 2022, por që jo gjithçka shkoj siç duhet aty.
Sipas djalit të 71 vjecarit, i cili vdiq në janar të këtij viti, urologu Shukriu, nuk iu kishte treguar për komplikimet që mund të shfaqeshin pastaj, e të cilat thotë se ia sollën vdekjen pas më shumë se 1 viti.
Bekim Krasniqi – Djali i viktimës tha se “I njëjti operacion ka zgjatur 7 orë, ka qenë një prej operacioneve më të komplikuara për shkak se gjatë operacioneve ka ndodhë një gabim jo profesional nga ana e doktorit, i cili ka bërë gabim shpërthimin e fshikëzës urinare, edhe i njëjti operacion para se kryhej është marr edhe mendimi i dy profesionistëve shëndetësor të cilët kanë propozuar që nëse përdoret anestezioni total tek pacienti, mundet me kushtu edhe me jetë, prandaj dyshimet janë me vend.”
Krasniqi shton i njëjti mjek, e kishte lëshuar babanë e tij nga spitali me arsyetimin që është në gjendje të mirë shëndetësore, por që nuk ishte.
Bekim Krasniqi – Djali i viktimës ka thënë se “Kemi ofruar prova të mjaftueshme se pas operacionit, pas lirimit babit tim nga spitali me datë 20.12.2022, kjo është një fletëdalje ku i njëjti dokotor për ta justifikuar vetën e vet shkruan se kinse babi im u kollit në operacion e që nuk është realiteti.
Familja Krasniqi të gjitha provat i kanë dorëzuar në prokurori, ndërkohë që sipas tyre ata kanë kërkuar edhe shërim jashtë vendit për babanë, por që ishte e kot, meqë sëmundja e tumorit kishte arritur në shkallë shumë të lartë.
Për këto pretendime që kanë ngritur familja Krasniqi, nuk po ndihet fajtor aspak vetë urologu Fatos Shukriu.
Fatos Shukriu- Urolog tha se “Unë e ndiej vetën të pafajshëm, kjo ka ndodhur, pacienti ka vdekur pas 13 muajve pasi unë kam bërë intervenimin, ai ka qenë pacienti me kancer 7 vite është trajtuar si kancer..”
Edhe nga spitali i Prizrenit kanë thënë se nuk mund të flasin e as nuk mund të marrin ndonjë veprim pa pasur një verdikt final nga institucionet e drejtësisë.
Për këtë rast tashmë Prokuroria Themelore në Prizren ka nisur hetimet. Urologu Fatos Shkukriu po hetohet për ‘trajtim të pandërgjegjshëm mjekësor.
Prokuroria Themelore në Prizren: “Referuar kërkesës tuaj për informacione, ju njoftojmë se Prokuroria Themelore në Prizren – Departamenti i Përgjithshëm, përkatësisht prokurori i rastit me datë 23.01.2024 ka autorizuar Policinë e Kosovës për t’i ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore. Lidhur me këtë, F.Sh., është marrë në pyetje në cilësinë e të dyshuarit. Me datë 21.02.2024 prokurori i rastit ka nxjerrë Aktvendim mbi fillimin e hetimeve ndaj të dyshuarit F.SH., për shkak të veprës penale “Trajtimi i pandërgjegjshëm mjekësor”, nga neni 254, paragrafi 8, lidhur me paragrafin 4, të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK). Ndërsa, sa i përket autopsisë, ajo mund të kryhet në vijim gjatë procedurës së hetimeve. Prokuroria Themelore në Prizren, është duke e trajtuar me prioritet dhe profesionalizëm rastin në fjalë, dhe është duke i ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme ligjore me qëllim të ndriçimit të rrethanave të rastit.”
Familja kanë thënë se janë njoftuar se Prokuroria ka kërkuar veprime nga Oda e Mjekëve të Kosovës, derisa nga kjo e fundit, nuk janë përgjigjur në pyetjet e televizionit.