Familjet e dëshmorëve: Në Koshare qëndrojnë themelet e lirisë

Familjarët e dëshmorëve kanë thënë se Qeveria nuk është duke i përkrahur mjaftueshëm

Për nder të 24-vjetorit të Betejës së Koshares, politikanë, familjarë të dëshmorëve e shumë qytetarë kanë bërë homazhe në kompleksin memorial në Koshare.

Nipi i komandantit Agim Ramadani, Taulanti, u shpreh se në Koshare qëndrojnë themelet e lirisë dhe pavarësisë së Kosovës.

“Është një datë e rëndësishme dhe një vepër kthyese në historinë e Kosovës, këtu qëndrojnë bazat dhe themelet e lirisë dhe Pavarësisë së Republikës së Kosovës. Unë si nipi i Agim Ramadani dhe gjithë familjarët dhe pjesa tjetër e familjarëve të gjithë dëshmorëve që kanë rënë në Betejën e Koshares janë shumë krenarë, megjithëse bashkë ndjejmë dhimbjen dhe krenarinë. Beteja e Koshares shënon një kthesë të rëndësishme, e cila do mbetet brez pas brezi për t’u kujtuar dhe falënderuar, qoftë ndërtimi Institucional apo pjesa e zhvillimeve kanë bazën dhe gurthemelin në Koshare”, u shpreh ai, shkruan KP.

Vajza e dëshmorit Rrahman Tafa, Shpresa, kërkoi nga institucionet e shtetit që të bëjnë organizim më profesional të përvjetorëve të Betejës së Koshares.

Ajo kërkoi që të ketë mbështetje për familjet e dëshmorëve.

“Rrahman Tafa, ishte dëshmorë i Betejës së Kosharës, u vra me 11 prill bashkë me bashkë me komandantin Agim Ramadani, i cili në këtë betejë ka dhënë jetën për njerëz që të jetojnë të lirë. Në këtë ditë të përvjetorit të thyerjes së kufirit kërkojë nga Institucionet e shtetit që ta trajtojnë më seriozisht Betejën e Kosharës, ta bëjnë organizimin më profesional dhe të ketë një mbështetje për familjet… për shkak se dita ditës po zbehet interesimi dhe po zbehet përkujdesja ndaj kësaj beteje, e cila është beteja më e lavdishme e ndodhur në luftën e Kosovës”, u shpreh ajo.

Vëllai, njëkohësisht edhe bashkëluftëtar i dëshmorit Abedin Murtezi, Afrimi, gjersa shprehu dhimbjen për humbjen e vëllait, të cilit ia kanë gjetur kufomën pesë vjet pas vdekjes, tha se Qeveria nuk është duke i përkrahur mjaftueshëm.

“Kemi qenë dy vëllezër, të dy kemi qenë në luftë. Vëllai ka ardhur nga jashtë dhe ka rënë në maj të vitit 1999, ka ndërruar jetë dhe është zënë rob i plagosur dhe pesë vite nuk kemi mundur ta gjejmë kufomën e tij…Kemi dhimbje, po shihet si është politika dhe si po shkon. Ne jemi ardhur t’i ngushëllojmë dhe t’i kujtojmë këta dëshmorë, sepse këta kanë dhënë jetën më të shtrenjtë për këtë vend dhe prej Qeverisë nuk janë duke i përkrahur aq sa duhet”, tha ai.

Vëllai i dëshmorit Kasim Uka, Përparimi, i cili ka ardhur nga mërgimi, theksoi se janë krenarë që janë familjarë të një dëshmori.

“Sot kemi ardhur këtu në 24-vjetorin e Betejës së Kosharës dhe jemi krenarë që jemi familje e një heroi…E përkujtojmë dhe jemi krenarë çdo vit që vijmë këtu nga mërgimi”, u shpreh ai.

Ndërkaq, Kadë Hajzeri, sikur në çdo përvjetor, e ndien dhimbjen e të birit 19-të vjeçar, Shabanit.

Ajo tha se dëshira për luftën drejt lirisë ka qenë këmbëngulje e të birit, gjersa shtoi se ai u vra së bashku me shokët e tij.

“Është vrarë këtu, jemi duke ardhur sa herë. Këtu e kanë vrarë dhe e kanë lënë. E lamë dhe ne këtu me shokë, nuk kemi mundur ta largojmë, me shokë është vrarë dhe me shokë e kemi lënë….Ndjehem krenare, ka dhënë jetë për këtë tokë, për të gjithë Kosovën…I ri ka qenë, 19-të vjeç, por ashtu mendoi, kishte dëshirë, dua të dal, dua të shkojë. Ishte dëshira e tij, me dëshirë ka dalur…. Kemi ikur nga lufta për në Ulqin dhe aty kemi ndejtur 3 muaj, pas saj e kemi kërkuar dhe na kanë dhënë lajmin që djali është vrarë në Koshare”, u shpreh ajo.

Beteja e Koshares, më 9 prill 1999, në kuadër të operacionit “Shigjeta”, ishte njëra ndër më të përgjakshmet dhe më heroiket e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Thyerja e kufirit në mes të Kosovës dhe Shqipërisë kishte shënuar, jo vetëm një fitore morale për UÇK-në, por ajo i kishte hapur rrugë furnizimit me armatim dhe mbështetje logjistike për shumë zona të luftës në brendësi të Kosovës. Në Betejën e Koshares të vitit 1999, gjatë dy muajve kanë rënë dëshmorë 114 luftëtarë të UÇK-së dhe qindra të tjerë janë plagosur.

Shija e redaktorit

Të martën “Dukagjini” promovon librin “Kape Lepurin” të Lana Bastašić-it

Për të gjithë ju dashamirë të librit, shtëpia botuese “Dukagjini” ka njoftuar se më 26 nëntor, ditën e martë, në orën 18:00, në librarinë...

Hamza: Me Fondin e Papunësisë do t’i mbështesim të gjithë...

Kandidati i PDK-së për Kryeministër, Bedri Hamza, ka dhënë një lajm të mirë për të gjithë punëtorët që i humbin vendet e punës. “Me...

Shtëpia Botuese “Dukagjini” Promovon në Tiranë serinë e Lektyrave Shkollore

Në ditën e katërt të edicionit të 27-të Panairit të Librit në Tiranë, Shtëpia Botuese “Dukagjini” promovoi serinë e lektyrave shkollore, e cila këtë...

Të fundit nga rubrika