Popujt dhe vendet kanë në vete shumëllojshmëri identitetesh, disa nga to janë, gjuha, doket e zakonet, elemente këto që përbëjnë bazën identifikuese të një populli.
Por, identiteti është më kompleks, ai nuk përfundon vetëm me gjuhën e zakonet e një vendi. Pashmangmërisht pjesë identifikuese dhe pasqyruese e një kombi/vendi, është edhe mënyra se si dhe cfarë ndërtohet aty. E kjo më së miri shprehet përmes arkitekturës, e cila është më shumë se art e po ashtu më shumë sesa vetëm tulla ndërtimi.
Rrënja e fjalës arkitekturë rrjedh nga greqishtja arkhitekton që do të thotë, “mjeshtër ndërtues”.
Por, arkitektura nuk kufizohet vetëm në këtë definim, përveç nevojave të gjithmbarshme jetësore, sipas arkitektit, Arbër Sadiki, arkitektura “më shumë se kushdo tjetër tregon gjendjen e një shoqërie”.
Përveç natyrës shërbyese e artistike, arkitektura sipas Sadikit, ka qenë dhe është e ndikuar edhe nga ideologjitë politike, përveç se në fusha të tjera, ideologjia shtrin ndikimin e saj edhe përmes arkitekturës.
“Pavarësish natyrës së saj shërbyese në thelb, arkitektura asnjëherë nuk ka mundur t’i ikë edhe dimensionit të saj politik. Pra duke qenë se çdo epokë ka idealet e veta politike, ajo pa dyshim që këtë ideologji e shtrinë edhe në hapësirë përmes arkitekturës që prodhon”, është shprehur arkitekti Sadiki për Portalin Dukagjini.
Për këtë lloj arkitekture na flet edhe profesoresha e Arkitektures moderne dhe trendeve bashkekohore Teuta Jashari-Kajtazi, sipas së cilës, për dallim nga arkitektura e ditëve të sotme, arkitektura moderne (e ndërtuar gjatë regjimit socialist), është pika kulmuese e llojit të arkitekturës së njohur si brutalizëm, ku ky lloj ka qenë më i manifestuar jo vetëm në Kosovë, por edhe gati në të gjithë Evropën dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
“Për dallim prej ditëve të sotme, arkitektura moderne e Shek 20 në Kosovë apo Prishtinë (që i referoheni si arkitekturë e ndërtuar gjatë regjimit socialist) është arkitekturë në të cilën dominon stili i njohur si Brutalizëm (betoni Brut/ Natur beton), i cili ka qenë aktual ne vitet e 70-ta të Shekullit të kaluar, jo vetëm në Kosovë por edhe në Evropë, SHBA, e gjetiu, aplikuar edhe nga arkitektët më të njohur botëror” ka thënë Jashari-Kajtazi për portalin Dukagjini.
Kaosi urbanistik, si identitet i Kosovës së pasluftës
Sipas disa arkitektëve të Kosovës, arkitektura e pasluftës në Kosovë, nuk përfaqëson asgjë më shumë se kaos urbanistik. Sipas, arkitetktit Visar Geci, arkitektura flet për “mentalitetin dhe kulturën e një populli, ajo tregon për mentalitetin, e mënyrën e jetesës”.
Sipas Gecit, në vendet ku ka kaos urbanistik, siç e cilëson ai Kosovën, bashkë me të ka edhe kriminalitet. Po ashtu, ai theksoi se arkitektura e pasluftës në Kosovë, apo pas rënies së ish-Jugosllavisë, nuk ka fare identitet.
“Arkitetktura në Kosovë, përfaqëson vetëm kaos urbanistik. Nuk ke indentitet tash. E ke secilin investitorë arkitektë, nuk bën më arkitekti projekte, bën investitori, sepse thotë {Unë dua kështu, sepse unë i kam arët}. Nuk respektohen ligjet, nuk respektohet vija e ndërtimit, nuk respektohet parcela. Ne përpos që dalim përtej vijave të ndërtimit, ne dalim edhe përtej parcelës tonë, duke e marrë parcelën e shtetit”, është shprehur arkitekti Visar Geci për Portalin Dukagjini.
Ndërkaq, sipas arkitektit Arbër Sadiki, nuk ka asnjë objekt që e manifeston kthesën e madhe historike të Kosovës së pavarur. Sipas tij, ka dështim të plotë në fushën e ndërtimit të ndërtesave publike, teksa ka theksuar se vlera arkitekturore mund të ketë vetëm në disa raste të investimeve private.
“Përjashto ndonjë rast të investimeve private, si hotel Graçanica i Bujar Ndrecajt ose Villa Dida e Gëzim Paçarizit, në fushën e ndërtesave publike kemi dështim të plotë. Sot nuk kemi asnjë ndërtesë që manifeston kthesën e madhe historike të Kosovës së pavarur”, është shprehur Sadiki.
Njëjtë sikurse Sadiki, mendon edhe arkitetkti Geci. Sipas tij, nuk ka asnjë objekt shtetëror të pasluftës, që ka vlera arkitetkturore.
“Ka degradim, sheh lloj-lloj ngjyrash e formash, varësisht si i ka pëlqyer investitorit, ka individuale diçka, por jo shtetërore”, u shpreh ai.
Teuta Jashari-Kajtazi e pyetur nëse lloji i ariktekturës së ndërtuar në ditët e sotme mund të quhet si “brutalizëm i moderuar”, ajo thekson se nuk mund të quhet ashtu pasi “betonizimi” i hapësirave të ndërtimit dhe tejkalimi i normave të ndërtimit, nuk ka të bëjë me arkitekturën e mirëfilltë dhe përkatesinë arkitekturore.
Gjithashtu edhe profesoresha e historisë, teorisë dhe trashegëmisë arkitekturale Florina Jerliu thekson se te ne nuk ka ndërtime që bëhen me këtë lloj të arkitëkturës.
“Brutalizmi ka qenë një tendencë stilistike e arkitekturës moderniste. Nuk ndërtohet më ashtu, i takon së kaluarës. Në botë më shumë ka tendenca minimaliste që marrin shkas/huazojnë nga brutalizmi. Te ne, këto nocione nuk duken gjëkundi në sfondin e një vizioni stilistik. Te ne thjesht ndërtohet për të akomoduar nevojat dhe funksionet bazë, e që kjo shtron si pyetje nëse është arkitekturë apo veç ndërtim ajo që ka formësuar qytetet tona të pasluftës” ka shpjeguar profesoresha Jerliu.
Teuta Kajtazi-Jashari shton se arkitektura e ndëtuar ditëve të sotme në Kosovë dhe respektivisht në Prishtinë do të mund që ta përgjithësohej si “Postmoderne”, dhe e cila e ka prioritet “sipërfaqen e shfrytëzushme”.
“Nëse i referohemi ndonjë stili në arkitekturë, nuk kemi ndonjë veçanti, prandaj arkitektura e ditëve të sotme në Kosovë apo Prishtinë (për të mos e rreshtuar askund), do të mund të përgjithesohej si ‘Postmoderne’ (edhepse Postmoderna është stil në vete, ka Kritik të arkitekturës të cilët të gjitha stilet që pasojnë Modernën e Shek.20, i konsideojnë Postmodernë, duke përfshirë: Dekonstruktivizmin, Brutalizmin, Hightech-un, etj.). Është një arkitekturë e cila prioritizon apo favorizon ‘sipërfaqen e shfrytëzueshme’ e jo domosdoshmërisht përkatësinë në ndonjë stil në arkitekturë të shekullit 21”, ka shpjeguar Jashari-Kajtazi.
Objektet e ndërtuara nga regjimet diktatoriale, simbolikë e kujtesës kolektive
Ka ekzistuar një debat i gjerë, sidomos në vendet perëndimore, se a duhet të shkatërrohen apo të ruhen objektet e ndërtuara nga regjimet diktatoriale të cilat kanë kryer krime kundër njerëzimit.
Edhe në Kosovë, ekzistojnë shumë objekte, të cilat janë ndërtuar në kohën e Jugosllavisë, pushtet i cili e ka shtypur popullin shqiptar.
Arkitekti Visar Geci, thotë se përvec Kishës Ortodokse, e cila është ndërtuar dhunshëm në oborrin e Universitetit të Prishtinës, objektet tjera duhet të ruhen dhe të shërbejnë si dëshmi të një kohe totalitare, për gjeneratat e ardhshme.
Me një gjuhë të drejpërdrejtë, Geci thotë se do të ishte gabim i madh rrëzimi i atyre objekteve.
“Vetëm një idiot apo kreten, mendon që tulla apo betoni vret njerëz. Tulla dhe betoni, kur bëhen bashkë tregojnë një periudhë të historisë. Nuk munden as kisha e as xhamia të vrasin njerëz, është e pamundur, në cfarë kemi kaluar ne, është mëkat të rrëzohen ato. Përjashto kishën ortodokse në oborr të UP-së”, është shprehur, Geci.
I këtij mendimi është edhe arkitekti Arbër Sadiki, i cili e tërheq një paralele të kohës kur Sulltan Mehmeti II, e kishte pushtuar Konstandinopojën.
“Arkitektura para së gjithash i takon njërëzve të cilët e rrethojnë. Ndërtesat që i numrave më lart, të gjitha janë ndërtuar dhe kanë shërbyer nga dhe për njerëzit lokalë. Një paralele të vogël: Kur Sulltan Mehmeti II mori Konstandinopojën, të gjithë prisnin që urdhërin e parë që do jepte do të ishte shkatërrimi i Aja Sofisë. Në fakt ai bëri të kundërtën. I dha leje të gjithë ushtarëve që për dy ditë të plaçkisin, djegin dhe shkatërrojnë çkado që të duan, pos Aja Sofisë”, është shprehur ai.
Arkitektura në kohën e socializmit
Sipas arkitektëve të Kosovës, vendi ynë ende nuk ka arritur ta tejkalojë nivelin e vlerave arkitekturore të objekteve që janë ndërtuar në kohën e socializmit.
Arkitektët, Arbër Sadiki e Visar Geci, thonë se objektet e kohës së komunizmit, kanë vlera që ende nuk janë kapërcyer nga paslufta e këndej.
Sipas tyre, disa nga objektet e asaj kohe që kanë vlera të pamohueshme janë: Biblioteka Kombëtare, BQK, Instituti Albanalogjik, Pallati i Rinisë, Pallati i Shtypit, Radio Prishtina dhe Gjinekologjia.
Arkitekti Sadiki ka theksuar se në kohën e Jugosllavisë, arkitektura ishte nën kujdesin e shtetit, dhe përmes saj është tentuar të krijohet identitet. Kurse, që nga pas lufta sipas tij, arkitektura është degraduar.
“Derisa në kohën e Jugosllavisë arkitektura ka qenë nën kujdesin direkt të shtetit, dhe përmes saj është tentuar që të krijohet një identitet i shoqërisë moderne, të pasluftës së fundit ajo është zhvilluar krejtësisht kaotike, pa kurrfarë intence”, ka thënë ai.
Kurse sipas Gecit, arkitektura e kohës së Jugosllavisë ishte arkitekturë moderne që e kishte në qendër njeriun.
“Në Jugosllavi, ka pasur arkitekturë kryekëput moderne. Komunizmi arkitekturën e ka ndërtuar përmes modernes. Është shumë humane, pikësëparë ka qenë njeriu, arkitektura është formuar për t’i shërbyer njeriut. Sot arkitektura i shërben nevojave të investitorëve. Për këtë arsye ka pasur oborre më të mëdha, distanca më të gjera”, është shprehur ai.
Geci i ka përmendur lagjet e projektuara në kohën e komunizmit, e që sipas tij, janë për t’u marrë shembull.
“Ke plot vende, është “Ulpiana”, “Emshiri”, “Aktashi”, krejt këto i sheh se cfarë ka ndodhë para dhe pas lufte. Shembull më të mirë e ke lagjen “Pejton”, ajo lagje ka qenë lagje e andrrave. Ka pasur distancë në mes të shtëpive sa duhet, tash është katrahurë, sepse ne jemi ashtu”, ka thënë ai.
Arkitektura si mjet për të arritur qëllimet nga ideologjitë
Të gjitha llojet e ideologjive përdorin mjete të ndryshme për të arritur qëllimet e tyre, të cilat mund të jenë nga më të ndryshmet. Por mund të themi se arkitektura përdoret si mjet për të mbajtur ‘gjallë’ dhe për të zhvilluar ideologjinë.
Këtë e bën ku nëpërmjet arkitekturës ajo shpalos planin e saj për kapërthimin, ndikimin dhe formësimin e asaj shoqërie.
Teuta Jashari-Kajtazi na tregon se përveç ideologjive si fashizmi, nazizmi, komunizmi e të tjera, arkitektura përdoret edhe nga vende të avancuara, të cilat e shfrytëzojnë për të promovuar politika të cilat janë në të mirë të shoqërisë dhe planetit.
“Historia e ndërtimeve tregon se Arkitektura ka shërbyer (dhe shërben) si mjet i cili përfaqëson një politikë apo ideologji të caktuar. Arkitektura, në kuadër të zhvillimeve të një shoqërie të caktuar (që nga Shekulli i vjetër), është shfrytëzuar për të përfaqësuar madhështinë, sundimin, dhe format e tjera të interpretimit. Duke mos u referuar në ‘ideologjitë’(komunizmi, fashizmi etj.) të cilat përmenden në pyetje, duhet të theksohet se ka vende të avancuara në botë, të cilat Arkitekturën e ‘shfrytëzojnë’ për t’i promovuar politikat e qëndrueshmërisë në ambient dhe efiçiencës së energjisë (jashtëzakonisht të rëndësishme në ditët e sotme dhe për ardhmërinë, me ç’rast duhet të përmendet se edhe te ne ka arkitektë, pak në numër, të cilë mundohen të i promovojnë këto vlera)” ka thënë Jashari-Kajtazi.
Ndërsa, Florina Jerliu na tregon se mund të na dërgojë një lloj i arkitekturës( ai që po ndërtohet në Kosovë) drejt një shoqërie nëse mund të themi utopike apo edhe distopike.
“Nuk ka asgjë të pazakonshme me mënyrën sesi është ndërtuar në Kosovë gjatë 20 viteve të fundit, marrë parasysh kontekstin socio-politik, ekonomik e kulturor të Kosovës. Gjatë dekadës së parë të pasluftës, patëm ndërtime të duhura e të paduhura, me leje e pa leje ndërtimi, që erdhën si pasojë e, parasëgjithash, mungesës së shtetit të fuqishëm ligjor. Ato akomoduan nevojën imediate, të të sotmes aktuale. Pastaj mësuam (ne dhe ekonomia) nga gabimi dhe vazhduam disi pak më me rregull, por jo pa gabime në kuptimin e situimeve urbane dhe mobilitetit. Por vazhduam të ndërtojmë për nevojat imediate”,ka thënë për portalin Dukagjini, Florina Jerliu.
“Viteve të fundit po mësojmë sërish nga gabimet e ciklit të dytë dhe po i mendojmë edhe ca faktorë të rëndësishëm që nuk lidhen vetëm me nevojën imediate, por edhe me nevojat e gjeneratës së ardhshme. Janë mezi të dukshme këto përparime, por e rëndësishme është që kanë zënë fill. Në teori, thuhet se duhen së paku gjashtë cikle të tilla mësim-leksioni që të fillohet numërimi së pari i tendencave të mirëfillta zhvillimore – që të bëhet një qytet. Në këtë linjë mendimi, Kosova nuk bën përjashtim”, ka vijuar ajo.
Shkatërrim apo çka, i objekteve të ndërtuara nga një regjim
Gjithmonë në botë kemi debate rreth dickaje, pasi vetëm në këtë mënyrë mund të vijmë te zgjidhja më e mirë e një problemi(nëse është problem), edhe me objektet e ndërtuara në lloje të ndryshme të arkitekturës nga regjime të ndryshme, pas një kohe të caktuar ato janë një cak i debateve se çka duhet të ndodhë me to.
Në disa shtete të Evropës kemi një debat se çka duhet të ndodhë më objektet e ndërtuara nga regjimi fashist apo edhe nazist.
A duhet të shkatërrohen dhe të shuhen, të konservohen si objekte nga një e kaluar (negative në këtë rast me fashizmin), apo të vihen në shfrytëzim nëse veç janë në një gjendje stabile.
Florina Jerliu na tregon opinion e saj se çka duhet të ndodhë në këtë rast me objektet e ndërtuara në Kosovë gjatë regjimit socialist.
“Sikur edhe me çdo ndërtesë tjetër, të ndonjë periudhe tjetër, si dhe pavarësisht kontekstit të krijimit të saj apo vendndodhjes, edhe ndërtesat moderniste të kohës së socializmit (jo vetëm në Kosovë), vlerësohen për përdorshmërinë e tyre, aftësinë që kanë për ripërdorim apo ndryshim funksioni, ndikimin që kanë në indin urban dhe natyrisht, për vlerat që kanë akumuluar në shoqëri, si historike, kulturore, sociale, arkitekturale, etj. Një arsye e vlefshme pse duhet t’i mbajmë dhe jo t’i rrënojmë është njësimi që duam ta kemi me qasjen globale aktuale ndaj reziliencës dhe qëndrueshmërisë urbane: çdo ndërtim ka një kosto; kosto ka edhe rrënimi dhe ndërtimi së pari, e në këtë proces, një kosto që prek të gjithë globalisht është deponimi i atij materiali të rrënuar që duam ta largojmë, pa e ndotur mjedisin. Alternativë e vlefshme është ripërdorimi i strukturave duke i adaptuar ato për nevojat aktuale dhe duke u përpjekur që të ripërdorojmë sa më shumë substancën e tyre”, ka thënë Jerliu.
Ndërsa, për këtë na flet edhe Teuta Jashari-Kajtazi e cila na thotë se nuk duhet të bëhen shkatërrime të këtyre objekteve pasi ato objekte kanë shprehur realitetin e një kohe të caktuar.
“Është trashëgimi moderne, e cila në arkitekturë dhe histori të arkitekturës ka vlerat e veta (me ndikim pozitiv apo negativ), duke shprehur realitetin e një kohe apo periudhe të caktuar të zhvillimit të arkitekturës dhe të një shoqërie në tërësi. Nuk duhet të bëhen shkëputje të kësaj rrjedhe të zhvillimit, duke i shkatërruar shembujt e ndërtuar në një periudhë të caktuar kohore, sepse në fakt, historia, si e ndërtimeve ashtu edhe e zhvillimeve të tjera në një shoqëri nuk mund të zhduket apo zhbëhet, duhet patjetër të ketë vazhdimësi”, është shprehur Jashari-Kajtazi.
Ajo na bën thirrje që të mos harrojmë shembujt e arkitekturës neonaciste, të cilët ende qëndrojnë dhe përfaqësojnë periudhën e caktuar (jo aq të këndshme).
Për arkitekturën mund të flasim dhe të debatojmë rreth saj, mund të bëjmë teorizime nga më të ndryshmet, mund të kalojmë nga një kritikë në tjetrën dhe mund(jetojmë) të jetojmë në objektet e ndërtuara ne lloje te ndryshme të arkitekturës, por ajo çka e bën arkitekturën si diçka madhështore është shenja që ajo lë për mijëra vjet në botë. Nëpërmjet saj, ne kemi mësuar për aztekët e lashtë, grekët e lashtë, gjithashtu edhe për egjiptianit e lashtë, të cilët me ndërtesat e tyre shënuan ekzistencën e tyre në historinë e njerëzimit, ata u bën të pavdekshëm.
Rëndësinë e arkitekturës në këtë kontekst më së miri mund ta përshkruajmë më thënien e treguar nga profesoresha Jashari-Kajtazi, të arkitektit të njohur botëror, Frank Lloyd Wright.
“Arkitektura është jetë, ose të paktën është vetë jeta që merr formë dhe për këtë arsye është regjistrimi më i saktë i jetës siç është jetuar dje në botë, siç jetohet sot, ose do të jetohet ndonjëherë”.