Pjesëtari i Grupit të Kumanovës, Fatmir Reçica, i cili është i burgosur në burgun e Idrizovës në Maqedoninë e Veriut ka dërguar një letër publike krerëve të shtetit të Kosovës.
Reçica ka kërkuar nga presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, kryeministri i Kosovës , Albin Kurti, ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, ministri i Punëve te Brendshme, Xhelal Sveçla që bashkëluftëtarin e tyre ta pajisin me dokumentacionin e nevojshme për ta ekstraduar në Republikën e Kosovës.
“Enver Hoxha-Klein ta marrin në konsideratë dhe me një dekret të veçantë t’ia mundësojnë pajisjen me dokumentet e Republikës së Kosovës, për të cilën derdhi gjakun në Betejën e Kosharës”, shkruhet në letrën e tij.
“Ne si bashkëluftëtarë të Enverit, apelojmë te Presidentja dhe Kryeministri që Enverin mos ta ndajnë nga ne, sepse Enveri është vetë Kosova”.
“Enveri është liria juaj që ju sot po e gëzoni dhe ju si krerë të shtetit tonë, e keni obligim moral e kombëtar që Enverin ta ekstradoni së bashku me të gjithë ne ,në shtetin e Kosovës, themelet e të cilit janë vendosur me gjakun e Enverit dhe shumë prej neve”.
“Enverit i takon shtetësia e Kosovës, e ju jeni duke ia mohuar, andaj mos hezitoni që me një vendim të posaçëm, Enverit t’ia jepni shtetësinë e Kosovës dhe të ekstradohet së bashku me ne në Kosovë”, ka shtuar ai.
Tutje, Reçica ka sqaruar se Republika e Kosovës, në ditët në vijim, do ta pajisë Grupin e Kumanovës me dokumentacionin e nevojshme për ekstradimin e tyre në Repubikën e Kosovës.