Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Faton Peci të shtunën e 13 gushtit ka uruar ministren e Punëve të Jashtme Donika Gërvallën për marrjen e postit të kryetares së degës “GUXO” në Pejë.
Faton Peci ka thënë që nuk do kishte si të ishte ndryshe duke qenë se Gërvalla rrjedh nga një familje atdhetare e patriotike.
“Ajo ka ndjekur hapat e Jusuf Gërvallës, gjithmonë duke patur synim afirmimin e Kosovës në botë dhe pasqyrimin e realitetit, të dhunës e shtypjes me të cilën janë përballur shqiptarët me vite nga pushtuesi serb. Në familjen Gërvalla, përmes rokut e poezisë zë vend zanafilla e rezistencës dhe frymës së ndryshimit, atëherë kur pak kush ka patur guximin të jetë roker e poet”, shkruan Faton Peci në Facebook.
Peci ka treguar se sa ishte pjesë e LDK-së, Donika Gërvalla përfaqsoi qëndrimet e Kosovës para opinionit gjerman si në media ashtu edhe në Qeverinë Gjermane e Bundestag.
“Donika sot, është pjesë e partisë “Guxo” duke mbetur simbol i guximit dhe luftëtare e zëshme për ndryshim. Vetë prezenca e saj në Kosovë për t’i kontribuar vendit, larg familjes së saj përbën sakrificë”, përfundon Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Faton Peci.