Faturat e energjisë britanike do të rriten me 80% në një mesatare prej 3 mijë e 549 funta në vit nga tetori, tha rregullatori Ofgem të premten e 26 gushtit, duke e quajtur atë një “krizë” që duhej të trajtohej me veprime urgjente dhe vendimtare të qeverisë.
Kreu i ‘Ofgem’, Jonathan Brearley tha se rritja do të kishte një “ndikim masiv” në familjet në të gjithë Britaninë dhe një rritje tjetër ka të ngjarë në janar, duke reflektuar presionin e rëndësishëm të çmimeve në tregjet e energjisë. Ai tha se kryeministrja e ardhshme e Britanisë qoftë Liz Truss ose Rishi Sunak duhej të merrte masa të menjëhershme sapo të vinte në detyrë muajin e ardhshëm.
“Është e qartë se kryeministri i ri do të duhet të veprojë më tej për të trajtuar ndikimin e rritjes së çmimeve që do të vijnë në tetor dhe vitin e ardhshëm,” tha Brearley.
Ndërsa qeveritë evropiane kanë kërkuar të kursejnë gazin, të rrisin magazinimin dhe të shkurtojnë faturat.
Dy kandidatët janë përplasur për mënyrën se si të përgjigjen. Propozimet e tyre janë hedhur poshtë nga analistët si shumë të vogla për të shmangur goditjen e paprecedentë në buxhetet e familjeve.
Ministri i Financave, Nadhim Zahawi tha të premten se po punonte në një plan për të qenë gati për qeverinë e ardhshme, megjithëse ai pranoi se kufiri i ri i çmimit do të shkaktonte stres dhe ankth për miliona, njofton CNN.
Faturat e energjisë janë rritur këtë vit pasi çmimet me shumicë të gazit dhe energjisë, tashmë në rritje pas pandemisë, u rritën pas pushtimit të Rusisë në Ukrainë.
Fatura e re mesatare për energjinë elektrike dhe gazin për 24 milionë familje do të thotë se faturat e energjisë do të jenë pothuajse trefishuar nga tetori i vitit të kaluar kur ishin mesatarisht 1 mijë e 277 funta.