Të enjten e 22 shtatorit, Byroja Federale Amerikane e Hetimeve(FBI) dhe Agjencia e Sigurisë Kibernetike dhe e Sigurisë së Infrastrukturës (CISA) kanë publikuar një raport të përbashkët për sulmet kibernetike ndaj Shqipërisë.
Në raport thuhet se qeveria iraniane, e identifikuar me ‘Homeland Justice’ nisi sulmin në korrik të këtij viti kundër portaleve qeveritare shqiptare duke bllokuar përkohësisht shërbimet online.
“Një hetim i FBI-së tregon se aktorët kibernetikë shtetërorë iranianë patën akses fillestar në rrjet afërsisht 14 muaj përpara se të nisnin sulmin shkatërrues kibernetik, i cili përfshinte një kodues skedari të stilit ransomware dhe një malware për fshirjen e diskut”, thuhet në raport, transmeton Euronews Albania.
Më 7 shtator, Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka njoftuar se ka ndërprerë marrëdhëniet diplomatike me Iranin, për shkak të sulmit kibernetik ndaj institucioneve qeveritare.
Rama ka njoftuar se vendimi i është bërë i ditur Ambasadës së Republikës Islamike të Iranit në Tiranë. Sipas njoftimit të shtetit shqiptar, personelit diplomatik dhe tekniko-administrativ i ishte kërkuar largimi brenda 24 orëve nga territori i Republikës së Shqipërisë.