FBI-ja vazhdon hetimet për “përpjekjen e mundshme për atentat” ndaj Trump-it

Ish-presidenti Donald Trump falënderoi Shërbimin Sekret për përpjekjet në hetimin e atentatit të mundshëm ndaj tij në Florida, ndërkohë që hetimet për incidentin vazhdojnë dhe një i dyshuar është arrestuar

Ish-presidenti amerikan, Donald Trump.

Ish-presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, falënderoi Shërbimin Sekret dhe policinë lokale të dielën vonë, pas asaj që FBI-ja tha se “duket të ishte një përpjekjeje për atentat” në klubin e tij të golfit në West Palm Beach të Floridës.

“Unë do të doja të falënderoja të gjithë për shqetësimet dhe urimet tuaja – sigurisht që ishte një ditë interesante!”, tha Trump në platformën e tij “Truth Social”. “Puna u krye në mënyrë të shkëlqyer”.

Incidenti, në të cilin Trump nuk u dëmtua, ndodhi dy muaj pasi u qëllua në vesh gjatë një veprimtarie të fushatës në Pensilvani.

Pjesëtarët e mbrojtjes së Trump po siguronin zonat e fushës së golfit ku ai po luante të dielën, kur panë një person të armatosur në shkurre. Agjentët e Shërbimit Sekret qëlluan në drejtim të të dyshuarit, i cili u largua nga zona dhe më pas u arrestua.

Sherifi vendas tha se i dyshuari la pas një “pushkë të stilit AK-47”, një kamerë GoPro dhe dy çanta shpine.

“Agjenti i Shërbimit Sekret bëri një punë fantastike”, tha Sherifi Ric Bradshaw i Zyrës së Qarkut Palm Beach, duke përshkruar punën e agjentit që pikasi “individin e armatosur” dhe qëlloi kundër tij.

Presidenti amerikan, Joe Biden, tha në një deklaratë mbrëmjen e së dielës se ishte lehtësuar që zoti Trump ishte i padëmtuar.

“Siç e kam thënë shumë herë, nuk ka vend për dhunë politike apo për çfarëdo dhune tjetër në vendin tonë dhe kam udhëzuar ekipin tim të vazhdojë të sigurojë që Shërbimi Sekret të ketë çdo burim, mundësi dhe masë mbrojtëse të nevojshme për të siguruar ish presidentin”, tha ai.

Nënpresidentja Kamala Harris, e cila kandidon kundër zotit Trump në zgjedhjet presidenciale të nëntorit, tha se ishte “thellësisht e shqetësuar nga përpjekjet e mundshme për atentat ndaj ish presidentit Trump”.

“Siç tha presidenti Biden, administrata jonë do të sigurojë që Shërbimi Sekret të ketë çdo burim, mundësi dhe masë mbrojtëse të nevojshme për të kryer misionin e tij thelbësor”, tha zonja Harris në një deklaratë.

Burime të ndryshme të medieve kombëtare amerikane, përfshirë Associated Press, The New York Times dhe Fox News Channel, cituan zyrtarë të paidentifikuar që e identifikuan të dyshuarin si Ryan Wesley Routh, 58 vjeç, nga Haëaii. Zyrtarët folën me kushtin që të mos u përmendet emri, sepse nuk ishin të autorizuar të diskutojnë hetimet në zhvillim.

Postimet në mediat sociale e shfaqin të dyshuarin Routh që mbështet fushatën zgjedhore të zotit Trump në vitin 2020, por në postimet më të fundit ai shfaqet në mbështetje të zotit Biden dhe zonjës Harris.

Ai gjithashtu shihet se ka diskutuar në mënyrë të përsëritur luftën në Ukrainë dhe dukej se përpiqej të rekrutonte ushtarë për të ndihmuar përpjekjet ushtarake të Ukrainës.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky, dënoi ngjarjen duke theksuar se dhuna politike nuk ka vend askund.

“Jam i lumtur të dëgjoj se zoti Donald Trump është i sigurt dhe i padëmtuar. Urimet e mia më të mira atij dhe familjes së tij”, shkroi Zelensky në rrjetin X.

Kremlini tha të hënën se lidhjet me Ukrainën të sulmuesit të dyshuar tregojnë se të “luash me zjarrin” ka pasoja.

I pyetur nga gazetarët zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, tha se Moska po ndjek situatën e tensionuar në Shtetet e Bashkuara duke shtuar se Rusia nuk po ndërhynte në zgjedhjet presidenciale amerikane.

Zoti Trump nuk ka njoftuar ndonjë ndryshim në orarin e tij dhe do të flasë drejtpërdrejt në rrjetin X të hënën mbrëma nga prona e tij Mar-a-Lago.

Ndërkohë, drejtuesit e një grupi punues dypartiak të Kongresit që hetonte atentatin e 13 korrikut ndaj zotit Trump thanë se kanë kërkuar të informohen nga Shërbimi Sekret./VOA

Shija e redaktorit

Të martën “Dukagjini” promovon librin “Kape Lepurin” të Lana Bastašić-it

Për të gjithë ju dashamirë të librit, shtëpia botuese “Dukagjini” ka njoftuar se më 26 nëntor, ditën e martë, në orën 18:00, në librarinë...

Hamza: Me Fondin e Papunësisë do t’i mbështesim të gjithë...

Kandidati i PDK-së për Kryeministër, Bedri Hamza, ka dhënë një lajm të mirë për të gjithë punëtorët që i humbin vendet e punës. “Me...

Shtëpia Botuese “Dukagjini” Promovon në Tiranë serinë e Lektyrave Shkollore

Në ditën e katërt të edicionit të 27-të Panairit të Librit në Tiranë, Shtëpia Botuese “Dukagjini” promovoi serinë e lektyrave shkollore, e cila këtë...

Të fundit nga rubrika