Federata Ndërkombëtare e Gazetarëve (IFJ) ka ngritur shqetësime lidhur me procesin e përshpejtuar për zgjedhjen e kryetarit të ri Komisionit të Pavarur të Mediave (KPM).
Sipas IFJ, është e një rëndësie të veçantë që KPM-ja të mbetet një institucion i lirë dhe i pavarur nga çdo lloj ndikimi politik, në mënyrë që të përmbushë mandatin e saj kryesor: mbrojtjen dhe garantimin e lirisë së mediave.
“KPM-ja duhet të mbetet e lirë nga ndikimi politik për të mbajtur mandatin e saj për ruajtjen e lirisë së medias”, thuhet në reagimin e tyre, teksa kanë shpërndarë reagimin e Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës (AGK) – ku e kanë cilësuar këtë proces si një përpjekje të hapur për politizimin dhe instrumentalizimin e KPM-së në shërbim të interesave të partisë në pushtet.
AGK: Zgjedhja e Besnik Berishës si kryetar i KPM-së, përpjekje për politizim dhe instrumentalizim
Besnik Berisha zgjidhet kryetar i ri, çka po ndodh në KPM?
Të premten e 17 janarit në një mbledhje të jashtëzakonshme të Komisionit të Pavarur për Media (KPM), Besnik Berisha është zgjedhur kryetar i ri i këtij institucioni. Ky vendim erdhi pasi me tri vota pro, një kundër dhe një abstenim, KPM-ja miratoi ndryshimet në rregulloren e brendshme, duke i hapur rrugë procesit të zgjedhjes së kryetarit të ri.
Juristja e mediave, Flutura Kusari, e ka cilësuar këtë si një akt të paprecedentë që cenon pavarësinë e këtij institucioni dhe lirinë e mediave në Kosovë.
Në FIVE të Dukagjinit Kusari tha se ndryshimet në rregulloren e brendshme të KPM-së janë bërë në mënyrë të kundërligjshme, pa konsultime publike, vetëm për të mundësuar zgjedhjen e kryetarit të ri para përfundimit të mandatit të kryetarit aktual, Jeton Mehmeti.
KPM-ja, tashmë në “kthetrat” e Vetëvendosjes, thotë Kusari
Ajo theksoi se këto veprime përfaqësojnë një “kapje politike” të KPM-së nga Lëvizja Vetëvendosje, duke shënuar një goditje të rëndë ndaj një prej institucioneve të pavarura në vend.
“Vetëvendosje e ka filluar me sulme ndaj mediave dhe me ndërmarrjen ose mosndërmarrjen e veprimeve që në mënyrë shumë të madhe kanë ndikuar në rënien e lirisë së mediave. Dhe po e përmbyll mandatin e saj prej katër vitesh me kapjen e institucionit të fundit, i cili ende po merrte pak frymë dhe kishte mbetur një lloj pavarësie, fal kryetarit të jashtëzakonshëm Jeton Mehmeti, person me integritet të madh dhe ekspertizë ne media. Mirëpo edhe kjo ndodhi që edhe ky institucion është vendosur në kthetrat e politikës. Dhe që për mua paraqet një sulm shumë të madh ndaj KPM-së, ndaj lirisë së medias dhe arsye për tu shqetësuar mediat për mënyrë se si do të trajton problemet në të ardhmen”, ka thënë Kusari në FIVE.