Ylli zviceran Federer njoftoi javën e kaluar se Laver Cup , e cila u themelua nga kompania e tij menaxhuese, do të ishte ngjarja e tij e fundit përpara daljes në pension. Ai i mbylli ditët e tij si lojtar profesionist me një humbje në dyshe së bashku me rivalin e tij të gjatë Rafael Nadal.
Gjersa Rafael Nadal u ul përkrah mikut dhe rivalit të tij të madh në O2 Arena të premten mbrëma, dyshja qanë nga emocionet që kishin. Tifozët brohoritën emrin e Federer, ndërsa dyshja e mirënjohur e tenisit u përqafuan. Federer mori një duartrokitje të fundit ku të gjithë u ngritën në këmbë. Nuk kishte dyshim se kjo ishte ndeshja e fundit profesionale e të madhit zviceran.
“Për mua, ka qenë një nder i madh të jem pjesë e këtij momenti të mahnitshëm të historisë së sportit tonë, dhe në të njëjtën kohë shumë vite duke ndarë shumë gjëra së bashku”, tha spanjolli për Federerin, pasi dyshja humbi ndeshjen e tyre të dyfishtë në Laver Cup ndaj dyshes amerikane Jack Sock dhe Frances Tiafoe, transmeton CNN.
“Kur Roger largohet nga turneu, po, një pjesë e rëndësishme e jetës sime po largohet gjithashtu sepse të gjitha momentet që ai ka qenë pranë meje ose përballë meje në momente të rëndësishme të jetës sime. Ka qenë emocionuese të shohësh familjen, të shohësh të gjithë njerëzit. Vështirë për t’u përshkruar, por mund të them moment fantastik”, shtoi Nadal.
Federer dhe Nadal luajtën me njëri-tjetrin 40 herë në një nga rivalitetet më të mëdha të sportit, me ndeshjen më të paharrueshme që ishte finalja emocionuese e Wimbledonit të vitit 2008, të cilën Nadal e fitoi në setin final. Konsiderohet ende si një nga ndeshjet më të mëdha të tenisit të të gjitha kohërave.
Nadal tha se ai ishte shumë krenar që ishte pjesë e karrierës së Federer në një farë mënyre. Por edhe më i lumtur që po përfundojnë karrierën e tyre si miq pas gjithçkaje që ndanë në fushë si rivalë.
Federer, një ish-numër një i botës dhe një lojtar që do të mbahet mend si një nga kampionët më të mëdhenj të çdo sporti, e përshkroi karrierën e tij profesionale 25-vjeçare si një “udhëtim perfekt”.