Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, më 18 mars në Ohër arritën pajtueshmëri për zbatimin e Marrëveshjes drejt normalizimit të marrëdhënieve mes dy vendeve. Në Aneksin e zbatimit të Marrëveshjes drejt normalizimit të marrëdhënieve Kosovë-Serbi, marrëveshje kjo e cila ka 11 nene, neni i cili ka qenë pikë e nxehte e debateve të shumta në Kosovë është neni 7.
Në nenin 7 të kësaj marrëveshjeje kërkohet nga Kosova dhe Serbia që të angazhohen “për të siguruar një nivel të duhur të vetëmenaxhimit për komunitetin serb në Kosovë”.
Dhe ky nen nga opozita dhe analistë është parë si Asociacion, ose “Zajendicë”, siç e quante Kurti sa ishte në opozitë.
Por, deputetja e VV-së, Arjeta Fejza, në emision “FIVE” në RTV Dukagjini deklaroi se vetëmenaxhimi nuk është Asociacion.
E pyetur nga moderatori i emisionit se “Pra, vetëmenaxhimi nuk është Asociacion? – Ajo është përgjigjiur e “vetëvendosur” se “Jo, nuk është Asociacion”.
Gjithashtu Fejza ka treguar se çka është vetëmenaxhimi është diskutuar edhe në Grupin Parlamentar të VV-së, duke theksuar se si në Grupin Parlamentar janë në linjë me qëndrimet e Qeverisë.
“..Se me duket sikur kjo çështja e diskutimeve në Grupin tonë Parlamentar është duke marrë dhenë,… normalisht që GP diskutojmë ne kemi takime të rregullta, në takimet tona merr pjesë shpesh edhe kryeministri. Merr pjesë edhe zëvendëskryeministri, i cili e ka portofolin për çështjen e dialogut dhe pothuajse për të gjitha çështjet. Javën që shkoi madje ne kishim një takim në lidhje me prezantimin e Fondit Sovran, i cila është edhe një tjetër nismë është jashtëzakonisht e madhe dhe jashtëzakonisht serioze dhe një tjetër premtim i realizuar i qeverisjes tonë. Kështu që po në GP ka diskutime dhe ne jemi në linjë me qëndrimet e Qeverisë, në kuptim që i kemi informacionet dhe diskutojmë”, ka thënë Fejza.