“N’dorë i kisha, po s’disha që janë fëmijët e mi”.
E shokuar edhe pas mbi dy dekadash, Hanumshahe Gaxhiqi, vazhdon t’i vajtojë dy fëmijët e saj të cilët e gjetën vdekjen në minat e pasluftës.
E hapur vazhdon të jetë edhe plaga e saj, e cila fëmijët i kishte gjetur të mbuluar me gjak në një fushë.
Ishte viti 1998, kur familjes së Hanumshahes i vijnë paramilitarët serbe herën e parë, ata ikin dhe strehohen në mal, ku paraprakisht kishin çuar sende për mbijetesë.
Në rrëfimin e saj, Gaxhiqi thotë se një ditë, gjatë kohës që strehohen në mal, forcat serbe i gjuajnë me minahedhës. Granata bie krejt afër vendit ku po luanin fëmijët e Hanumshahes.
“N’mal na kanë gjujtë me minahedhës. Dy çikat edhe djali i madh jonë kanë tu lujtë n’rekë. Iu ka ra me minahedhës. Une veç sa e kisha kthy shpinën me shku te Armendi. Ish n’djep, se ish tetëmujsh. Sikur me parandjenjë e kom ditë që diçka ka me ndodhë. Ata gjujshin prej t’katër anëve. E ra drejt e n’rekë ku ishin fëmija”, ka rrëfyer ajo.
Edhe sot, sikur atëherë, kujtimi për ta mbetet i freskët.
“Këta të dy që më kanë dekë, nuk i kam pa as në andërr, se kur mërzitësh shumë, nuk i sheh. Edhe jonë ardhë tu keshë në andër, midis livadhi, diqysh lule plot, dritë, e m’thanë ‘Oj mam, na nuk kena dekë, a po na sheh midis luleve sa mirë jena’. Dritë, dritë, dritë, lule, livadhe, qaq tu keshë ata, tu nga. Kur më doli gjumi, diqysh m’u dok sikur kom nejtë me ta, si me i pasë afër, thojsha kokan mirë. Qaty ni here i kom pa, ma kurrë”.
Për familjen Gaxhiqi, dy djemtë me emra të ripërtërirë të djemve të vrarë, janë forcë për të vazhduar jetën tutje.
“M’u gajke që hala po merr frymë”
Hanumshaja nuk është nëna e vetme që pa t’i veniten fëmijët para syve të saj.
Ngjashëm me të, edhe Ajete Ahmeti, pa se si djali i saj u vra mizorisht nga forcat serbe.
Në rrëfimin e saj, Ahmeti shpalosi minutat e fundit me djalin e saj 11-vjeçar.
Pak pa hy në mal me Jetonin, në ditën e ikjes, Ajetja pa atë që do t’ia shenjojë gjithë jetën e mëtejme – vrasjen me snajper të të birit që ia çan atij kokën në dysh.
“Atë ditë që o vra Jetoni jena çu, kena gatu. U kanë data 22 maj, ora 11. I kena pa shkijet që erdhën, po s’kena menu që jonë shkije, po menuem që erdh dikush me mledhë lakna. Ma ka lypë djali do sheqer me ia qitë n’tamël, se pike, thashë, o djali jem, po s’ka. Qajo m’ka metë pikë, sheqer që s’kom pasë me i qitë. Tamon jena dalë n’oborr, e kena pasë me thanë dy-tri metra malin ngat, kanë nga krejt, jonë hi nëpër male. Qetë çikën që e pata, Dafinën, e ka marrë kunata n’grykë, se dy vjeç e gjysë ish, hala tri s’i ka pasë. Djalit i kom thanë, ec Jeton, se veç po e marr ni kafshatë bukë. Thashë me vete, më lypin fëmija bukë. M’thotë, jo, nuk dal pa ardhë edhe ti. Vjehri shkoi në mal. Ata tanë jonë hi n’mal. Na dy, tamon e kena qitë kamën, ai o kanë përskaj, Perenia e rriti, u ba shumë ma i madh se unë. Tamon e kena qitë kamën me hi n’mal, veç kur u rrëzu ai. Veç kur pashë që i shkoi kapaku i kresë fluturim edhe trutë krejt ia qitën n’tokë”, rrëfeu ajo.
Nga duart ia morën, por jo edhe nga mendimet dhe ëndrrat që i shfaqen herë pas here.
“N’fillim, mbasi vdiq Jetoni, e pajsha n’andërr, po tash ma rrallë. Tash ma nuk e shoh. N’fillim, erdh e m’tha, Allahile, merrne Liridonin, se veç mrena po e mani, e qitne në Kutllovc najherë, se o Zot sa mirë po bohët mëngjesit. Edhe e majshim mrena, nuk e lejshim me dalë. Krejt shkojshin, osht ni bazen atje, na nuk e lejshim. Sot kurrnihere s’del, as s’del natën, as s’del që me thanë. Veç i grah punës t’vet edhe hiç s’lakmon me dalë. Ky i vogli ma del. Kur e pashë t’dytën herë, ish rritë, ish bo shumë i madh. Edhe flokët krejt qel. Thashë, e djali jem, pse i heke?. Tha, me ardhë atje ku jom unë, nuk t’lajnë me flokë t’gata. E i thashë, rri veç edhe pak. Jo, tha, boll, shkova, se atje osht shumë ma mirë. I maj n’men qeto dy andrra që i kom pa. Tash ma rrallë e shoh, jo fort shpesh”, ka rrëfyer ajo.
Copëza të këtyre rrëfimeve tashmë gjenden edhe në muret e objektit të Ministrisë së Drejtësisë, aty ku po qëndron e hapur ekspozita “Bebëzat e mallit” kushtuar fëmijëve të vrarë, të zhdukur me dhunë dhe të prekur nga lufta e fundit në Kosovë.
Të rrethuara nga një konstruksion i lehtë metalik, gjenden fotografitë e disa nga personave, ndër ta fëmijë e familjarë të tyre, të zhdukur apo të vrarë.
Secila prej tyre përçon një dramë tragjike që shkaktoi lufta.
Kjo ekspozitë e hulumtuesit dhe fotografit Korab Krasniqi, kuruar nga Vesa Sahatçiu, është një ftesë për përfshirje në diskutime për të menduar dhe përfaqësuar humbjen individuale apo kolektive.
Në një prononcim me shkrim për Portalin Dukagjini, hulumtuesi dhe fotografi Korab Krasniqi ka rrëfyer lidhur me frymëzimin për krijimin e kësaj ekspozite.
Ideja për realizimin e ekspozitës, Krasniqi thotë se i kishte lindur nga diskutimet që kishte me producentin Kushtrim Koliqi, nga Integra’s, teksa po i diskutonin idetë potenciale të cilat mund të realizoheshin si pjesë e një projekti të tyre.
“Në gusht të vitit të kaluar, forumZFD program në Kosovë dhe Qendra Burimore për Persona të Zhdukur kishin botuar librin “Fëmijëri të Rrëmbyera: Rrëfime mbi përvojat e fëmijëve në luftë”, që përmblidhte 12 rrëfime të prindërve e familjarëve të fëmijëve të vrarë dhe të zhdukur në luftë dhe fëmijëve të prekur nga lufta”, tha ai.
Siç theksoi Krasniqi, qëllimi ishte të dokumentohej kompleksiteti i përvojave të fëmijëve në luftë, të prodhohej dija për luftën dhe të përfshiheshin përvojat të fëmijëve në luftë në kontekst të kujtesës kolektive dhe historisë.
“Me Kushtrimin kishim diskutuar se si materiali i grumbulluar dhe hulumtimi mund të shërbente si burim për vendosjen e një ekspozite dokumentuese për të arritur tek audiencat më të gjera dhe qarqet e udhëheqësisë politike. Kjo ka shpie tek ekspozita në hapësirën e hollit të qeverisë së republikës së Kosovës”, potencon ai.
Hartëzimin dhe përfshirjen e familjeve në proces, hulumtimi e dokumentimi e kanë bërë përmes të dhënave të cilat i ka siguruar Qendra Burimore për Persona të Zhdukur.
Përzgjedhja e të intervistuarve është bërë mbi premisën e përfaqësimit etnik, gjeografik, gjinor dhe rrethanor, ku gjithsej janë realizuar 12 intervista: 8 janë të realizuara me shqiptarë, 2 me serbë (të zhvendosur nga Kosova) dhe 2 me romë (njëri i zhvendosur nga Kosova).
“Nga këto intervista, 10 i kemi me prindër të cilëve u janë vrarë ose zhdukur fëmijët dhe 2 janë me fëmijë të cilëve u janë zhdukur prindërit në kushte lufte. Gjithsej 5 intervista janë realizuar me burra dhe po 5 me gra, kurse 2 të tjera me burrë e grua bashkë”, tha Krasniqi.
Përmes shkrirjes delikate kuratoriale të udhëhequr nga Vesa Sahatçiu, ekspozita ofron hapësirën ku dhimbja i delegohet publikës.
“Është përpjekje për ta nderuar kujtesën për fëmijët e vrarë dhe të zhdukur, dhe për fëmijët e prekur nga lufta në Kosovë, për të mësuar nga historitë e tyre dhe për të rritur ndërgjegjësimin për ndikimin shkatërrues të luftës tek anëtarët më të cenueshëm dhe të pafajshëm të shoqërisë sonë. Ekspozita është homazh për guximin, qëndrueshmërinë dhe shpresën e këtyre fëmijëve dhe prindërve të tyre”, u shpreh ai.
Krasniqi shpreson se duke u vendosur në hapësira publike institucionale, kjo ekspozitë, të ndikojë në sensibilizimin e klasës politike mbi përvojat e luftës si dhe të nxitë iniciative të mëtejme shtetërore me në qendër përvojat e fëmijëve në luftë.
Në kuadër të ekspozitës, fotografi beson se parashihen vizita studimore me studentë nga vendi dhe jashtë, diskutime që lidhen me trashëgimin e luftës dhe aksione tjera sensibilizuese.
Ngjashëm edhe kuratorja, Vesa Sahatçiu në një prononcim për Portalin Dukagjini thotë se kjo ekspozitë hap si debat çështjen e kujtesës kolektive dhe rëndësinë e krijimit të hapësirave ku rrëfimet e së kaluarës janë të dukshme dhe të qasshme për publikun.
“Ekspozita është e bazuar në hulumtimin e bërë nga Korab Krasniqi per ForumZFD mbi fëmijët e vrarë gjatë luftës dhe menjëherë pas luftës dhe ka karakter dokumentues. Është ekspozitë që trajton apo hap si debat çështjen e kujtesës kolektive dhe rëndësinë e krijimit të hapësirave ku rrëfimet e së kaluarës janë të dukshme dhe të qasshme për publikun. Titulli i ekspozitës “Bebëzat e Mallit” vjen nga poezia dhe libri me të njëjtin titull e poetit lirik, Enver Gjerqekut. Poezia sikurse dhe ekspozita kanë humbjen si temë”, thotë Sahatçiu.
Siç tregon ajo, qasja në materialet për këtë ekspozitë ka qenë e lehtë pasi bashkëpunimi me hulumtuesit ka qenë i ngushtë.
“Materialet u përzgjodhën duke iu referuar tri elementeve që janë prominente në 12 rrëfimet e familjeve të intervistuara. Janë ëndrrat ku fëmijët e vrarë shfaqen (andaj edhe nëntitulli është citat nga nje ënderr e njërës prej të intervistuarave që e përshkruan ëndrrën ku i shfaqen fëmijët e vrarë), ripërtrirja e emrit të fëmiut të vrarë duke ia dhënë fëmiut të lindur pas luftës dhe admirimi me të cilin flitet per fëmiun apo familjarin e vrarë. Meqë bashkëpunimi me hulumtuesin ka qenë i ngushtë, qasja në materiale ka qene e lehtë. Ekspozita shtjellon rëndësinë e krijimit të hapësirave të kujteses kolektive, ku rrëfimet e tilla trajtohen dhe kanë vizibilitet”, vijon ajo.
Sahatçiu shpreson se kjo ekspozitë do të nxisë kureshtje dhe interesim te njerëzit pasi siç thotë ajo trajton me përkushtim temën e vrasjes së fëmijëve gjatë luftës së fundit në Kosovë.
Pak metra më larg, po në Prishtinë, vazhdon të jetë e hapur edhe ekspozita në Bibliotekën “Hivzi Sylejmani”, e titulluar “Na ishte njëherë që kurrë mos qoftë”.
Kjo ekspozitë përfshin fotografi dhe sende personale si rroba dhe lodra që përkujtojnë fëmijët e vrarë e të zhdukur gjatë dhe pas luftës (1998-2000).
E njëjta mban peshën e 1 mijë e 133 kujtimeve të fëmijëve të vrarë e të zhdukur si pasojë e luftës në Kosovë.
Si pasojë e luftës (1998-2000) në Kosovë, 1 mijë e 224 fëmijë kanë mbetur të vrarë e 109 fëmijë të zhdukur.