Braktisja e fëmijëve si fenomen në Kosovë ka ekzistuar prej vitit 1999, mirëpo me zhvillimin e teknologjisë dhe modernizimin shoqëror ka pësuar rritje.
Si koncept, braktisja e fëmijëve nënkupton një formë të neglizhimit ndaj fëmijës, ku prindërit, fizikisht, braktisin fëmijën e tyre ose tërësisht injorojnë nevojat e tyre jetësore.
Duke qenë se njihet si fenomen i rëndësishëm sikurse në vendet e jashtme, edhe në Kosovë braktisja e fëmijëve është e rregulluar me procedura ligjore, ligji ka përgjegjësi edhe në këtë aspekt. Por se a zbatohet apo jo mbetet enigmë e fshehur.
Megjithatë, përmes një përgjigje me shkrim, portali Dukagjini ka arritur të zbulojë se rastet e tilla dënohen. Gjatë vitit 2022, Policia e Kosovës ka bërë të ditur se ka arrestuar 39 persona, të cilët dyshohet se kanë kryer veprën “Keqtrajtim apo braktisjen e fëmijës”.
Sipas ligjit, familja është bërthamë natyrore dhe themelore e shoqërisë, dhe si e tillë, gëzon të drejtën në mbrojtje. Kështu prindërit duhet ta mbrojnë fëmijën, ta rrisin dhe ta edukojnë atë. Kur flitet për fëmijët nënkuptohen personat nën moshën 18 vjeç. Ndërkaq, fëmijë i braktisur nënkuptohet ai i cili është i braktisur nga prindërit e tyre, të cilët për shkaqe apo arsye të ndryshme nuk i kryejnë apo nuk janë në gjendje t’i kryejnë obligimet, përgjegjësitë dhe të drejtat prindërore.
Kodi Penal, gjithashtu, e shqyrton çështjen e braktisjes së fëmijëve dhe thotë “Prindi, prindi adoptues, kujdestari apo personi tjetër që ushtron autoritet prindëror mbi fëmijën, i cili e keqtrajton fëmijën, duke përdorur masa fizike a mentale apo e shkel detyrimin e vet për përkujdesje dhe edukim duke mos e përfillur fëmijën me pakujdesi të madhe, dënohet me burgim prej tre muajsh deri në tre vjet”.
Policia e Kosovës është përgjigjur në një intervistë me shkrim për portalin Dukagjini, ku ka treguar se rastet e braktisjes së fëmijëve i rregullojnë përmes hetimeve dhe verifikimeve.
Nga Policia e Kosovës kanë bërë të ditur se në periudhën janar-qershor 2022, janë identifikuar 140 raste të braktisjes së fëmijëve, të cilat janë nga Kosova dhe Shqipëria.
Ndërkaq, nga Drejtoria për Hetimin e Trafikimit me Qenie Njerëzore kanë treguar se janë identifikuar 44 fëmijë në situatë rruge, prej të cilëve, 36 janë nga Kosova dhe 8 nga Shqipëria, statistika këto që vlejnë përgjatë vitit 2022.
“Janë iniciuar dhe dorëzuar me kallëzim penal në prokuroritë përkatëse 18 raste për veprën penale ‘Keqtrajtim apo braktisje e fëmijës’ neni 243 i KPRK-së dhe janë arrestuar 21 persona të dyshuar për po të njëjtën vepër”, shkruhet nga DHTQNJ.
Krahas ligjit dhe Kodit Penal, rëndësi në këtë kuadër ka edhe Qendra për Punë Sociale që është institucion publik profesional, i cili ka kompetencë për mbrojtjen e qytetarëve përfshirë këtu mbrojtjen e interesave të fëmijëve.
Lidhur me këtë çështje, nga Qendra për Punë Sociale për portalin Dukagjini ka folur drejtori i qendrës, Vebi Mujku, i cili tregon se ky institucion ka përgjegjësi për mbrojtjen e fëmijëve të braktisur, duke theksuar se QPS e bën mbrojtjen e këtyre fëmijëve deri sa të gjendet një zgjidhje e mirë përfundimtare.
“QPS merret me trajtimin e këtyre fëmijëve në forma të ndryshme prej momentit kur informohet nga spitali apo policia dhe e menaxhon rastin deri në zgjidhjen përfundimtare. Kjo nënkupton se fëmijës i caktohet një menaxher rasti, një kujdestar ligjor, sigurohet strehimi, punohet në bashkim familjar dhe nëse nuk arrihet zgjidhja atëherë e zgjedhim statusin e fëmijës dhe fillojnë procedurat për adoptim”, ka thënë drejtori i QPS.
I pyetur se kush i adreson rastet e fëmijëve të braktisur, Mujku ka theksuar se ata qëndrojnë në një periudhë prej 28 ditësh në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), pastaj në ndërmjetësim me institucionet që menaxhojnë QPS-në, ata sigurohen në një vend në të cilin nuk do t’u mungojë asgjë.
Sipas Mujkut, fëmijët që braktisen mund të sigurohen në Qendrën SOS Fshatrat e Kosovës, pas bashkëpunimit të këtyre dy qendrave për të strehuar fëmijët që kanë nevojë.
Nga Qendra SOS për portalin tonë është prononcuar Berat Kryeziu, specialisti për ngritjen e kapaciteteve humanitare, i cili ka potencuar se në SOS Fshatin e Fëmijëve aktualisht janë të strehuar 47 fëmijë.
Ndër të tjera, Kryeziu ka treguar për kushtet në këtë qendër. Ai thotë se arsimi mbetet çështja kryesore, të cilës ata i kushtojnë më së shumti rëndësi.
“SOS ofron qasje në arsim për secilin fëmijë në bazë të moshës. Ne i mbështesim ata edhe përmes shumë aktiviteteve, trajnimeve dhe kurseve ekstrakurikulare që ofrohen brenda dhe jashtë organizatës”, ka theksuar Kryeziu.
Tutje, ai ka shpjeguar se Qendra SOS Fshati i strehon fëmijët deri në adoptim apo në kohën kur fëmija bashkohet me familjen biologjike, duke theksuar që gjitha shërbimet ofrohen pa pagesë.
“Të gjitha shërbimet për fëmijët e SOS Fshatit janë pa pagesë. SOS Fshatrat e Fëmijëve mbulojnë këto shpenzime duke siguruar fonde që fëmijëve dhe të rinjve të mos u mungojë asgjë. Natyrisht se ngritja e fondeve është e vështirë, por ka shumë njerëz vullnetmirë dhe biznese që na ndihmojnë. Tashmë së fundi kemi lansuar edhe dhurimin online përmes uebfaqes www.soskosova.org, ku secili mund të dhurojë aq sa ka mundësi që asnjë fëmijë të mos rritet i vetëm”, ka shpjeguar në vazhdimësi Kryeziu.
Njashtu, Kryeziu ka shtuar se kjo qendër kujdeset 24 orë për këta fëmijë, dhe jeta e tyre është e njëjtë me jetën e fëmijëve të tjerë.
Por çfarë ndikimi ka fenomeni i braktisjes te fëmija, ka shpjeguar psikologu Engin Sylejmani, i cili ka vlerësuar se braktisja te fëmijët ndikon negativisht pasi ua humb atyre vetëvlerësimin dhe besimin.
“Mungesa e vetëbesimit është karakteristika e këtyre fëmijëve”, ka thënë ai.
Tutje, psikologu ka thënë se ekziston i ashtuquajturi “Sindromi i braktisjes së fëmijëve” me të cilin, këta fëmijë shpesh përballen. Sipas Sylejmanit, ky sindrom u shkakton fëmijëve që braktisen, ankth dhe stres kronik.
“Nëse nuk trajtohen si duhet përmes terapisë dhe mbështetjes emocionale, këta fëmijë mund të kenë pasoja deri në pleqëri dhe të karakterizohen me paaftësi emocionale”, ka shpjeguar ai.
I pyetur se si duhet kujdesur që këta fëmijë të kenë shëndet të mirë mendor dhe psikologjik, ai ka thënë se nevojiten trajtime terapeutike, integrim social dhe mbështetje institucionale.
“Mënyra më e mirë për kujdesin ndaj fëmijëve të braktisur është trajtimi terapeutik si psikoterapi, konsulta me psikologun, integrimi social, mbështetja familjare dhe ajo institucionale”, ka përfunduar Sylejmani.
Megjithatë, ka disa forma juridike dhe sociale të mbrojtjes së këtyre fëmijëve, qoftë të përkohshme apo të përhershme, siç janë: kujdestaria, strehimi familjar brenda farefisit, strehimi familjar jashtë farefisit, strehimi i përkohshëm në strehimore dhe adoptimi si formë e përhershme e mbrojtjes.