Në kohën e pandemisë, kur të gjithë kemi pasur nevojë për momente relaksuese, faqja satirike “Coolnfresh” ka luajtur një rol shumë të rëndësishëm për disponimin e qytetarëve.
Fisnik Çerkini, themelues i faqes satirike “Coolnfresh”, në emisionin “Radar” me Edita Doli, në Radio Dukagjini, tha se nuk është shumë e lehtë të mbahet kjo faqe, pasi çdo herë duhet të jesh në rrjedha me lajmet qoftë edhe politike dhe ato duhet të kthehen në lajme satirike.
“Për të qenë në trend gjithmonë ndjekim zhvillimet dhe skandalet në vend dhe botë. Ka ditë që nuk kemi materiale dhe për këtë një herë e kemi pasur një titull “Skandal – Qe tri ditë asnjë skandal”, tha Çerkini.
Gjatë kësaj interviste, pati shumë satira ku dëgjuesit e Radio Dukagjinit patën mundësi të relaksohen me humor, e njëra ndër to ishte edhe “Feminizmi në Kosovë hobi i pauzës”.
Themeluesi i “Coolnfresh”, tha se aktualisht kemi një ekip fantastike të cilët asnjëherë nuk lodhen për shtatë ditë në javë për të qenë në formë që me satirat tona t’iu sjellim disponim të mirë ndjekësve tanë.
Për të mirëmbajtur punën kreative të “Coolnfresh”, Çerkini tha se kemi kontrata bashkëpunimi me brende të mëdha.
“Coolnfresh”, që mund ta gjeni në Facebook dhe Instagram, është një faqe satirike me qindra ndjekës. Në këtë faqe publikohen tema me përmbajtje të ndryshme norma shoqërore, zhvillime politike, tema tabu e të tjerë.