Festivali Mbarëkombëtar i Fëmijëve “Kokrrat e rrushit këndojnë”, fillon të dielën e 25 shtatorit, në Rahovec.
Ngjarje kjo e cila do të mbledh solistë nga treva të ndryshme shqiptare, i cili njëkohësisht është edhe festivali më i ri në qytetin e Rahovecit që ofron promovim dhe mbështetje për artistët e rinjë.
Ky festival ka për qëllim njohjen e vendeve të ndryshme me qytetin e rrushit në kohën e vjeljes së tij gjatë muajit shtator dhe tetor, kurse qëllimi kryesor është që fëmijët të njoftohen me pamjet të bukura natyrore të Rahovecit duke bërë një shetitje ditore të shkurtë e deri tek performanca e tyre në skenë.
Ndërkaq drejtori i festivalit, Naser Dula në një pronocim për portalin Dukagjini ka thënë që përgatitjet kanë shkuar shumë mirë dhe se gjithçka është gati për të dielën.
“Sa i përket përgatitjeve të edicionit të parë të festivalit “Kokrrat e rrushit këndojnë”, çdo gjë ka shkuar në mënyrën më të mirë, normalisht që vështirësi të vogla kemi pasur por gjithçka e tejkalueshme”.
“Në këtë edicion do të kemi solistë nga Kosova, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut dhe gjithsej do të jenë 18 këngëtarë të rinjë të cilët do të prezantohen me këngët e tyre të ndara në dy kategori”, ka thënë Dula.
Ndryshe festivali mbarëkombëtar “Kokrrat e rrushit këndojnë” mbahet në Qendrën Kulturore “Mensur Zyberaj” në Rahovec, duke filluar nga ora 14:00.