Sunny Hill Festival do të mbahet në shtëpinë e vet, në Prishtinë, më 4, 5, 6 dhe 7 gusht 2022.
Përmes një deklarate të përbashkët nga Ministria e Kulturës, Komuna e Prishtinës dhe Sunny Hill Festival, është bërë e ditur se festivali do të mbahet përfundimisht në Kosovë.
“Qeveria e Kosovës, Komuna e Prishtinës dhe Sunny Hill Festival bashkojnë forcat për një edicion të mrekullueshëm të festivalit sivjet, aty ku e ka vendin, në Prishtinë.
Institucionet qëndrore dhe lokale bashkarisht, sipas mandatit që kanë do të ofrojnë mbështetje të plotë për edicionin e sivjetmë, i cili do të mbahet në një lokacion të përshtatshëm”, thuhet në njoftim.
Ndër të tjera, në deklaratë thuhet që synimi i këtij bashkëpunimi do të jetë organizimi i tij afatgjatë në Kosovë.
Ajo që është e re këtë vit nga ky edicion, do të jetë një edicion që do të mbahet në fund të muajit gusht në Tiranë më 26, 27 dhe 28 gusht.
Në Prishtinë, Sunny Hill Festival për këtë vit ka përgatitur një radhë artistësh të fuqishëm nga festivalet e rajonit, ku përveç artistëve të njohur si Diplo, Skepta, DJ Regard, AJ Tracey, Mahmood dhe artistët më të njohur shqiptarë, për këtë edicion pritet të zbulohen edhe dy artistë shumë të mëdhenj botërorë.
“Një verë e jashtëzakonshme i pret të gjithë shqiptarët në Prishtinë dhe në Tiranë”, ka thënë Rama.
Më 14 qershor të këtij viti, nga mungesa e vendimit përfundimtar dhe përgjigjeve për dhënien e hapsirës për festivalin nga ana e MAPL-së, Lipa kishte deklaruar se edicioni i sivjetmë i festivalit “Sunny Hill” nuk do të mbahej në qytetin e Prishtinës.