Ideuar, organizuar dhe fuqizuar nga gratë, Festivali “Wuman” mbledhë në Kosovë gratë dhe vajzat DJ, më me ndikim dhe më në zë të muzikës elektronike për herë të parë, për një festival një ditor.
Qëllimi kryesor i festivalit është aplikimi i të drejtave të femrave në festival. Pika kryesore e përkrahjes të të drejtave të femrave do te jetë ‘line-up’-i i festivalit e cila do të prezentohet vetëm nga artistë të gjinisë femërore.
Për të dhënë më shumë detaje rreth këtij festivali, të ftuara në emisionin “Drive on D” me Donika Hysenin, ishin ideatoret e festivalit, Elza Behluli dhe Rita Muhaxheri.
Ato treguan se ideja e festivalit ishte e kahmotshme, mirëpo organizimi i tij nuk u bë deri sivjet shkaku i buxhetit të limituar. Këtë vit u arrit organizimi i kësaj ideje me ndihmën e Qeverisë Japoneze, Bankës Botërore dhe komunës së Ferizajt.
E veçanta e këtij eventi është fakti e është i organizuar nga femrat, ka një staf rreth 90% femra, dhe artistet që do të përformojnë janë të gjitha femra.
Në festival do të përformojnë: Dani Ramos nga Berlini, Hatari nga Zvicra, Ivana Dragsic nga Shkupi, Pa Emer nga Tirana dhe Dona K nga Zvicra.
Ideatoret tregojnë se ka qenë e vështirë rezervimi i artistëve pasi të dyja nuk kanë pasur lidhje më parë me botën e muzikës, porse kjo është arritur me anë të ndërmjetësuesve. Tregojnë që artistet nuk kanë ngurruar, pasi iu ka pëlqyer ideja, e që sipas hulumtimeve nuk ka pasur një festival të tillë më parë në Evropë.
Festivali mbahet të shtunën me 10 shtator në Nerodime të Epërme të Ferizajt. Lidhur me lokacionin Behluli dhe Muhaxhiri kanë bërë të ditur se për të pranuar mbështetje nga Qeveria Japoneze kanë pasur disa lokacione target, e që më i përshtatshmi ka rezultuar të jetë Nerodimja.
Organizatoret kanë vendosur që festivali të mos ketë bileta, mirëpo pagesa prej 5 eurosh të bëhet në hymje, duke bërë që ngjarja të jetë e hapur për të gjithë.
Gjatë ditës do të ketë aktivitete. Nga ora 14:00 do të ketë një session të jogës që do të zgjasë një orë, teksa nga ora 16:00 do të ketë një panel diskutimi “Woman Talk” ku do të diskutohen temat aktuale. E duke filluar nga ora 18:00 do të fillojë muzika që do të zgjasë deri në orën 04:00 të mëngjesit, me mundësi shtyerje të mëtejshme.
Behluli e Muhaxheri kanë theksuar se kanë siguruar edhe tenda në rast se ka reshje të shiut gjatë ditës së festivalit. Ato kanë shprehur dëshirën që edicionet tjera të zgjerohen duke bërë që të jetë një festival më i madh, dhe të zgjasë tre ditë.