Federata e Futbollit të Kosovës ka reaguar pas arrestimit të presidentit të kësaj federate, Agim Ademi, të cilit i është caktuar masa e paraburgimit prej 48 orësh nga Prokuroria Themelore e Prishtinës.
Ushtruesi i detyrës së sekretarit të përgjithshëm të FFK-së, Taulant Hodaj, ka kritikuar hetimet, pasi ka kuptuar se hetuesit kanë shkuar dhe kanë shqetësuar futbollistët e kombëtares duke i marrë në pyetje pa urdhër të gjykatës.
Gjithashtu, ai ka paralajmëruar se ndaj hetuesve do të ndërmerren veprime ligjore, pasi, sipas tij, nuk kanë respektuar veprimet ligjore.
“Unë jam jurist dhe i di këto procedura, por mënyra se si organet e rendit kanë ardhur brenda hapësirave tona dhe të bëjnë presion ndaj lojtarëve, ndaj stafit, kjo është e papranueshme”, ka thënë Hodaj.
“Momenti në grumbullim, në dy ndeshjet vendimtare të vijnë persona civilë t’i atakojnë lojtarët, stafin, pa pasur asnjë lidhje me këtë çështje, kjo mendoj që është në kundërshtim me ligjin e aplikueshëm në Kosovë, e padrejtë me efekt të jashtëzakonshëm negativ. Por, mendoj që kjo do t’u kthehet në forcë lojtarëve që të vazhdojnë ta japin kontributin në dy ndeshjet kruciale”, ka thënë tutje Hodaj.
Po ashtu, ai ka thënë se kjo çështje ka ndikuar negativisht te futbollistët, të cilët janë të shqetësuar për situatën e krijuar, sidomos pak ditë para ndeshjes kualifikuese për Euro 2024 kundër Izraelit në Tel Aviv.
“Gjykata t’i hetojë të gjitha ato që janë të bazuara në ligj, momenti apo mënyra se si janë ballafaquar lojtarët dhe stafi i kombëtares lënë shumë për të dëshiruar, e që jemi dy ditë para udhëtimit në Izrael, duke pasur parasysh formën dhe përgatitjen që është bërë dhe shansin ideal që e kemi, mendoj që kjo ka qenë një goditje për futbollin e Kosovës, posaçërisht për kombëtaren në këtë moment”, është shprehur Hodaj.
Sekretari Hodaj ka shtuar se ai nuk është intervistuar nga Policia e Kosovës.
Po ashtu, Hodaj ka thënë se nuk është intervistuar as nënkryetari i FFK-së, Bakir Burri, i cili ishte i pranishëm në konferencën e jashtëzakonshme të FFK-së për shtyp.
Ndërkaq, ai ka thënë se Federata assesi nuk është kundër drejtësisë, por vetëm të bëhet në përputhje me normat ligjore.
Ndër të tjera, ai ka thënë se lojtarët janë në formë të mirë, dhe se përgatitjet po shkojnë në formën e duhur për ndeshjen e radhës kundër Izraelit.