Federata e Futbollit e Kosovës (FFK), në krye me Agim Ademin, vazhdon të injorojë një nga mediat më të mëdha në vendin tonë, TV Dukagjini.
Si shumë herë të tjera, edhe kësaj radhe, shtëpia e futbollit kosovar nuk ka akredituar gazetarët e TV Dukagjinit për të përcjellë nga afër ndeshjen mes Kosovës dhe Qipros, në stadiumin “Fadil Vokrri”.
Pavarësisht kërkesës së TV Dukagjinit të dërguar javë më parë, FFK nuk e ka ndërmend të akreditojë mediumin, i cili me emisionet e saj sportive “Dueli Sportiv” dhe “Dueli Ditor” pasqyron ditë për ditë dhe javë për javë ngjarje nga futbolli vendor.
Televizioni ka mësuar se nuk janë akredituar edhe disa gazetarë të tjerë sportiv të mediave me shkrim, si “Gazeta Blic” dhe “Nacionale”.
FFK nuk ka kthyer përgjigje në kërkesën e mediumeve për akreditim.
Në disa raste në të kaluarën, kërkesa nuk është miratuar me arsyetimin “për shkak të numrit të kufizuar në tribunën e mediave”.
Jo vetëm për çështjen e akreditimit.
FFK është ftuar në plotë raste nga TV Dukagjini, në emisionin sportiv që transmetohet të dielën “Dueli Sportiv” që të dërgojë ndonjë përfaqësues të saj për të diskutuar rreth zhvillimeve në futbollin kosovar.
Nuk ka marrë asnjë përgjigje.
Televizioni nuk ka marrë përgjigje as kur ka kërkuar nga shtëpia e futbollit kosovar informacione për tema të cilat i ka trajtuar ato në emision ose në kronika televizive.
Gjithë këtë situatë e sheh shqetësuese gazetari dhe komentatori i sportit, Arbër Avdyli.
Sipas tij, është e papranueshme t’i mohohet një gazetari të përcjellë kombëtaren e Kosovës nga tribuna për media.
“Është e papranueshme mungesa e transparencës nga ana e FFK-së karshi gazetarëve sportive duke mos iu përgjigjur ftesave të emisioneve sportive, sidomos atyre shëtpive mediale që janë me kritikë karshi Federatës së Futbollit të Kosovës. Edhe më shqetësues e shoh mosakreditimin e disa gazetarëve nga FFK për ndeshjet e Kombëtares A të Kosovës. Është totalisht e papranueshme që një gazetari t’ia mohosh të përcjellësh Kombëtaren e shtetit të ij. Ky është edhe cenim i punës së gazetarit dhe ndoshta cenim i të drejtave të njeriut, pasi mos ta lejosh gazetarin/en të raportojë nga vendi i ngjarjes është akt skandaloz. Nuk di që ndodh diku në botë. Nuk po arrij të kuptoj këtë ‘armiqësi’ të FFK-së karshi mediave në përgjithësi dhe sidomos gazetarëve sportiv në veçanti”, ka thënë ai për TV Dukagjinin.
Të njëjtin mendim me Avdylin e ka edhe ish-futbollisti i mirënjohur, Taulant Dajaku, i cili tani është analist i sportit.
Ai beson që mosakreditimi ndodh vetëm për gazetarët që janë kritik në raport me FFK-në.
“Kemi një mostransparencë ose qëllim për presion që Federata i bën gazetarëve kritik. Kjo është e dukshme si një formë e menaxhimit autoritar që ata kanë vendosur në FFK. Siç duket nuk e kuptojnë që demokracia është një formë menaxhimi që bëhet funksionale vetëm prej medias së lirë dhe pavarur. Tashmë, që kanë dalë edhe këto skandalet që ata kanë një fomë tjetër të menaxhimit medias, ose raportit me median, është e dukshme që moskakreditimi ndodh vetëm për gazetarët që janë kritik ose janë kërkues për të mirën e përbashkët dhe suksesin e futbollit të Kosovës. Ndërsa, kanë një pjesë të gazetarëve që i kanë sejmen, pasi kanë dalë edhe publikimet se ka media që paguhen nga Federata. Kjo është formë shqetësuese, që në rend të parë duhet të shqetësojë institucionet e këtij vendi, për shkak se nuk duhet të lejohet një menaxhim i tillë i futbollit, kur paratë e futbollit përdoren për pagesat e shkrimit le të themi gazetave të caktuara, të asaj që quhet propagandë dhe jo faktim i realitetit që ndodh në terren”, potencoi ai.
Dajaku mendon se FFK nuk është transparente edhe në shumë çështje të tjera.
“Është edhe më shqetësuese kjo pjesë sepse jo vetëm në raport me gazetarët por mungesa e transparencës edhe financiare, edhe vendimeve që ndodhin në futbollin e Kosovës, është shqetësuese për shumëkënd. Mirëpo, edhe në këtë rast ne nuk mund të rregullojmë asgjë, pa instrumentet shtetërore, gjë që shpresoj që shteti i ka të gjithë gjërat në dorë për të sqaruar këtë situatë”, përfundoi ai.
TV Dukagjini ka provuar, të martën pasdite, të marrë një përgjigje edhe nga zyrtarja përgjegjëse për media në FFK, Maki Bajrami, por ajo nuk është përgjigjur në telefon.
Lidhur me këtë çështje, kishte folur edhe vetë kreu i FFK-së, Agim Ademi, në një intervistë për televizionin publik “RTK”, më 6 tetor të këtij muaji.
“Akreditim krejt kush ka konkurru mu akreditu, është akreditu. Nëse munesh me thon që RTK i ka pru 10 vetë, atëherë 10 vetë nuk akreditohen”, ishte përgjigjja e të parit të FFK-së.
Ndryshe, sonte kombëtarja e Kosovës përballet me Qipron, nga ora 20:45, në ndeshjen e vlefshme për Ligën e Kombeve.