Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ka vizituar Bashkësinë Islame të Kosovës(BIK),me rastin e festës së Fitër Bajramit, ku është pritur nga myftiu Naim Tërnava.
Kryeparlamentari Konjufca, pas bisedës që ka zhvilluar me myftiun Tërnava, ka theksuar se se roli i Bashkësisë Islame ka qenë gjithmonë për t’u vlerësuar.
Konjufca ka thënë se BIK-u, gjithmonë ka kultivuar solidaritetin dhe bamirësinë në shoqëri.
“Shfrytëzoj rastin t’ia uroj festën e Fitër Bajramit, të gjithë besimtarëve. Po ashtu falenderova myftiun për kontributin që ka dhënë”, ka thënë ai.
Ndër të tjera, ai ka shtuar se, “Më kujtohet dhe vetë kur kam qenë i vogël në vitet e 90-ta, roli i BIK-ut, i cili ka qenë gjithmonë për tu vlerësuar.”
Ai, gjithashtu, ka falënderuar BIK-un për kultivimin e solidaritetit dhe bamirësisë.
Edhe Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës(AAK), Ramush Haradinaj ka vizituar BIK-un.
Haradinaj ka uruar të gjithë besimtarët myslimanë për festën e Fitër Bajramit.
“Kam nderin që në emër të AAK-së, të urojmë festën e Fitër Bajramit Myftiut Tërrnava, Bashkësisë Islame, gjithë shqiptarëve besimtarë myslimanë që e festojnë Bajramin, me fat Bajrami”, ka thënë ai.
Ai ndër të tjera ka shtuar se “Lusim Zotin të iu pranoj agjërimin të gjithë atyre qe kanë agjëruar.”
Për festën e Fitër Bajramit, edhe kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës(PDK), Memli Krasniqi ka vizituar BIK-un.
Me këtë rast, ai ka uruar festën e Fitër Bajramit për të gjithë qytetarët.
“Shpreha mirënjohjen më të thellë për BIK-un dhe për punën e madhe të tyre që e bëjnë në vazhdimësi në kuadër të ndihmave ndaj familjeve që janë në vështirësi ekonomike dhe të ndryshme”, ka thënë ai.
“Është një festë e cila shënon kulminacionin e një muaji të shenjtë, të përkushtimit, durimet njerëzor ndaj sprovave dhe lakmisë”,ka theksuar Krasniqi.
“Sot i ftoj të gjithë qytetarët e Kosovës të marrin shembull dhe inspirim nga kjo festë për t’u bërë edhe më bujarë, edhe më të hapur, edhe më tolerantë edhe më mirëbesues me njëri- tjetrin, me rrethin e tyre dhe me të gjithë”, ka thënë Krasniqi.
Edhe Kryetari i Aleancës Kosova e Re(AKR), Behgjet Pacolli ka uruar besimtarët myslimanë për festën e Fitër Bajramit.
Përmes një postimi në Facebook, Pacolli ka thënë se muaji i shenjtë i Ramazanit do t’i mungojë, por ka theksuar se duhet të bëhen vepra të mira edhe në vazhdim.
“Pas një agjërimi 30 ditor, ne muslimanët sot festojmë festën e Bajramit. Në emrin tim dhe të familjes sime, gëzuar festën dhe ju uroj secilit shëndet, lumturi dhe harmoni në familjet tuaja. Muaji i shenjtë i Ramazanit do të na mungojë, por është e rëndësishme të vazhdojmë të bëjmë vepra të mira, të ndajmë bukën me të tjerët dhe të kujtojmë gjithmonë Zotin”, ka shkruar Pacolli.
Edhe, Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës(LDK),Lumir Abdixhiku, ka uruar festën e Fitër Bajramit për qytetarët e besimit islam.
Abdixhiku ka shkruar në Facebook, se kjo festë duhet të rikujtojë se sakrifica dhe vlerat njerëzore ndaj njëri-tjetrit janë të domosdoshme për shoqëri me zhvillim të begatshëm.
“Qytetarët e Kosovës gjithmonë janë shquar për vlera humane, vëllazërore dhe solidariteti, duke u dëshmuar si shoqëri që respekton njëri-tjetrin e ndan me ata në nevojë – prandaj, le të vazhdojmë t’i mbajmë këto vlera edhe përtej muajit të shenjtë e përtej Festës së Bajramit”, ka thënë Abdixhiku.