Disa fakultete të Universitetit të Prishtinës kanë qenë më të frekuentuera të enjten.
Kjo pasi kanë nisur provimet pranuese për studentët që kanë aplikuar në UP.
Ata kanë treguar drejtimet që kanë zgjedhur.
“Kam apliku në Fakultetin Filozofik për shkenca politike, e pastaj në vitin e tretë me vazhdu për marrëdhënie ndërkombëtare dhe diplomaci”, ka thënë Edonë Mazreku, e cila ishte Maturante.
“Unë jam i lidhur me sportin dhe psikologjia ka të bëjë shumë me futbollin, gjë që më ka shty edhe ta studioj më shumë këtë drejtim”, ka thënë Muhamet Pllata, i cili ishte Maturant.
Rektori i Universitetit të Prishtinës po thotë se për këta studentë është bërë edhe harmanizimi ndërmjet programeve dhe tregut të punës.
“Është një prej parimeve kryesore që ne e ndjekim kur bëjmë përcaktimin dhe strukturojmë programet arsimore, sigurisht edhe në kuptimin formal, nevoja e lidhjes e programeve tona me tregun është diçka e domosdoshme”, bëri të ditur Rektori i Univeristetit të Prishtinës, Qerim Qerimi.
Mirëpo, ndryshe nga rektori mendojnë ekspertët e arsimit.
“Vëmendja ekskluzive e UP-së duhet të jetë tek student, të përditësoj ofertën e studimeve, të jetë më shumë në përputhje me tregun e punës dhe më e rëndësishmja të gjeneroj punësim për studentët”, ka thënë Rinor Qehaja nga Instituti “Ed Guard”.
Provimet pranuese gjatë së enjtes u mbajtën në tetë fakultete, ndërsa në të tjerat pritet të mbahen gjatë ditëve në vazhdim.