Ka filluar sot armëpushimi katërditor në mes të Izraelit dhe Hamasit, i cili shënon pauzën e parë pas luftimeve pothuajse shtatëjavëshe.
Marrëveshja e përkohshme e armëpushimit përfshin, gjithashtu, lirimin e 50 grave dhe fëmijëve, disa nga rreth 240 personat e marrë peng nga Hamasi gjatë sulmeve të tyre më 7 tetor.
Në këmbim, Izraeli ka thënë se do të lirojë 150 gra dhe adoleshentë palestinezë të mbajtur në burgjet e tij.
Pauza në luftime do të sjellë, gjithashtu, lehtësim për 2.2 milionë palestinezë në Rripin e Gazës, me premtimin për më shumë ndihmë shumë të nevojshme në enklavë sipas marrëveshjes.
BBC raporton se Izraeli ka thënë se ky nuk është fundi i luftës dhe se qeveria është zotuar të përfundojë misionin e saj për të eliminuar Hamasin dhe për të kthyer të gjitha pengjet.
Hamasi, të cilin Izraeli, ShBA-ja dhe fuqitë e tjera perëndimore e klasifikojnë si organizatë terroriste, ka thënë se marrëveshja do t’u japë palestinezëve kohë për t’u rikuperuar pas një sulmi intensiv ajror dhe tokësor izraelit, për të cilin qeveria e tij në Gaza thotë se ka vrarë më shumë se 14 mijë e 500 njerëz.