Të enjten e 16 qershorit, ka filluar konferenca ndërkombëtare triditore e Forumit të Prespës për Dialog në Ohër, e cila titullohet “Ndërtimi i së ardhmes së Ballkanit Perëndimor në arkitekturën moderne të sigurisë”.
Forumi është duke trajtuar çështjet më urgjente të sigurisë politike dhe ekonomike me të cilat po përballet Evropa dhe Ballkani Perëndimor, me fokus të veçantë në implikimet e luftës së Ukrainës.
Ndërsa të premten, tema e sesionit do të jetë “65 vjet pas Traktatit të Romës: A është Evropa plotësisht e rindërtuar dhe e integruar ekonomikisht?”
Në këtë panel, është duke marrë pjesë kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq, në të cilin ishte planifikuar të marrë pjesë edhe kryeministri Albin Kurti.
Por, shefi i ekzekutivit, të premten e 17 qershorit, është duke marrë pjesë në një takim me përfaqësuesit e veteranëve, për të gjetur një gjuhë të përbashkët në lidhje me pakënaqësitë e tyre në lidhje me shkëputjen e kësaj kategorie nga beneficionet e pagës minimale.
Ndërsa nga Qeveria e Kosovës, pjesë e panelit do të jetë ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, transmeton Portali D.
Ndërsa, gjatë ditës së djeshme, Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në këtë forum ka kërkuar nga vendet e BE-së liberalizimin e vizave për Kosovë.
Ajo ka kërkuar nga Bashkimi Evropian që t’i hapë dyert për Kosovën, sepse sipas saj, kështu luftohet edhe ndikimi i Rusisë në Ballkan.
Këtë forum e kishte hapur, Ministri i Punëve të Jashtme të Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani duke thënë se kontributi i vendeve në rajon krijon stabilitet afatgjatë dhe kushte për transformimin e shoqërive.
Diplomati maqedonas tutje ka shtuar se pret që të dëgjohen pikëpamje të gjera nga pjesëmarrësit eminentë.