Tashmë Akademia Diplomatike në ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD), ka hapur edicionin e parë të Shkollës për Diplomaci të Diasporës.
Sipas një komunikateje për media nga MPJD, mësohet se mirëpritjes së gjeneratës së parë të Shkollës për Diplomaci të Diasporës i është bashkuar kryeministri i vendit, Albin Kurti, ministrja e Punëve të jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, zëvendësministrja Liza Gashi, dhe përfaqësues të tjerë nga institucionet vendore e ndërkombëtare.
Në fjalën e tij, Kurti ka theksuar se është e pamundur të flasësh për historinë e vendit tonë pa përfshirë dhe diasporën.
“Në shumë mënyra, diaspora jonë përfaqëson një tejzgjatje të natyrshme të komuniteteve tona përreth botës. Është një diasporë e lidhur shumë me vendlindjen e tyre”, ka thënë Kurti.
Sipas Kurtit, synimi i kësaj shkolle është që të transmetojë më shumë njohuri se si mund të përmirësojmë angazhimin e diasporës.
“Nga ana tjetër, Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla gjatë kësaj ceremonie theksoi se nga këtu fillon një rrugëtim i rëndësishëm për Kosovën për vitet e ardhshme për të treguar rëndësinë që luan diaspora në diplomaci. “Rëndësia e kësaj shkolle qëndron tek roli i saj si një platformë bashkëpunuese në të cilën integrojmë pjesë të diasporës”. Ministrja Gërvalla tha se pjesëmarrësit e kësaj shkolle do të kenë mundësi të ndajnë përvojat e tyre duke na lidhur dhe përafruar me tema të ndryshme nga mbarë bota, duke eksploruar se si mund të rrisim fuqinë e diasporës për marrëdhënie më të mira diplomatike dhe zhvillim kombëtar”, thuhet në komunikatën për media.
Zëvendësministrja, Liza Gashi, ka thënë se programi i Shkollës për Diplomaci të Diasporës është hartuar me qëllim të mbështetjes së krijimit të një rrjeti global të diplomatëve të karrierës, si dhe ngritjen e kapaciteteve të tyre në fushën e diplomacisë së diasporës.
“Në mbyllje të ceremonisë, para të pranishmëve fjalë rasti ka mbajtur edhe Martin Russell, Drejtor Ekzekutiv i Global Diaspora Insights, i cili e ka vlerësuar si iniciativë shumë të rëndësishme Shkollën për Diplomaci të Diasporës derisa ka thënë se roli që luan diplomacia e diasporës ka një impakt shumë të rëndësishëm për shtetin që ka filluar të marrë më shumë vëmendje në politikat qendrore në mbarë botën”, thuhet tutje në komunikatën për media.
Këtij edicioni të organizuar nga Akademia Diplomatike i janë bashkuar diplomatë prej më shumë se 30 shtete të botës.