Të enjten e 16 qershorit, fillon konferenca ndërkombëtare tri ditore e Forumit të Prespës për Dialog, në Ohër. Kjo konferencë është organizuar nga Ministria e Punëve të Jashtme, edicioni i së cilës titullohet “Ndërtimi i së ardhmes së Ballkanit Perëndimor në arkitekturën moderne të sigurisë”.
Forumi për Dialog i Prespës do të trajtojë çështjet më urgjente të sigurisë politike dhe ekonomike me të cilat përballet sot Evropa dhe Ballkani Perëndimor, me fokus të veçantë në implikimet e luftës së Ukrainës në situatën e përgjithshme ndërkombëtare, politike, të sigurisë, ekonomike në Evropë dhe më gjerë.
Diskutimet do të ndahen në sesione dhe panele, ku do të marrin pjesë aktivisht krerë shtetesh, kryeministra, krerë të diplomacisë, ministra të tjerë të linjës, si dhe ekspertë ndërkombëtarë.
Është konfirmuar pjesëmarrja e kryetarit të Këshillit Evropian Charles Michel, të presidentit të Malit të Zi Milo Gjukanoviq, të presidentes së Kosovës Vjosa Osmani, të presidentit slloven Borut Pahor, të presidentit kroatit Zoran Milanovic.
Në mesin e pjesëmarrësve janë kryeministrja serbe Ana Brnabiq, nënsekretarja e Shtetit për Çështjet Politike të OKB-së Rosemary Di Carlo, ministri e Jashtëm austriak Alexander Schalenberg, Zbigniew Rau i Polonisë, Gordan Grlic Radman i Kroacisë, Mevljut Çavushoglli i Turqisë, Ivan Korçook i Sllovakisë, të Greqisë Nikos Dendias, nga Bosnja dhe Hercegovina, Vatikani, të Ndihmëssekretarit të Shtetit të SHBA-së Gabriel Escobar.
Edhe pse është paraparë që në këtë forum të marrë pjesë edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ai është duke marrë pjesë në seancën e Kuvendit të Kosovës.
Në forum do të marrin pjesë Komisioneri i BE-së për Zgjerimin dhe Politikën e Fqinjësisë Oliver Varhei, Sekretarët e Përgjithshëm të OSBE-së, të dërguar të posaçëm për Ballkanin Perëndimor në Shtetet e Bashkuara, Britani, BE, Gjermani dhe Austri, si dhe një numër ministrash të tjerë të linjës për Çështjet Evropiane , Financa dhe Ekonomia e mjedisit, si dhe përfaqësues të organizatave më të rëndësishme ndërkombëtare dhe rajonale qeveritare dhe joqeveritare.
Nikoqir i hapjes do të jetë presidenti Stevo Pendarovski i cili këtë vit është sponsor i manifestimit, dhe gjithashtu, do të ketë takim me kryetarin e Këshillit Evropian Charles Michel, pas së cilës të dy do të mbajnë një konferencë për media.
Në forum do të marrë pjesë edhe kryeministri Dimitar Kovaçevski, i cili do të ketë takime të shumta, duke përfshirë edhe përfaqësuesit specialë për rajonin, nga SHBA-ja Gabriel Escobar, nga BE-ja Miroslav Lajcak, dhe me Rosemary Di Carlo, nënsekretare e OKB-së.
Të premten, Kovaçevski do të hapë sesionin si folës kryesor me temën “65 vjet pas Traktatit të Romës: A është Evropa plotësisht e rindërtuar dhe e integruar ekonomikisht?”.
Vlen të theksohet se presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani-Sadriu, ka udhëtuar për në Maqedoninë e Veriut për të marrë pjesë në Forumin e Prespës për Dialog, pas ftesës së Presidentit të Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski.
Përveç sesionit të hapjes zyrtare dhe takimeve bilaterale, presidentja Osmani do të jetë ndër folëset kryesore në panelin e diskutimit “Samiti i Demokracisë: Rëndësia e grave në qeverisje”, diskutim i cili do të ketë për epiqendër nevojën për avancimin e agjendës së grave, sigurisë dhe paqes.