Një nga një po i drejtohen fakultetit teknik.
Për disa studentë është hera e parë që janë në dyert e fakultetit e për disa hera e dytë dhe e tretë.
Kjo ditë është edhe zyrtarisht e para e fillimit të vitit të ri akademik në të gjitha Universitetet publike të vendit.
Për tu njoftuar me hapësirat e objektit arsimor, studentët kanë ardhur edhe në fakultetin filozofik.
Njëri ndër ta është edhe Denis Krasniqi i cili është i gëzuar që ky proces filloi me kohë, ani pse ka rezerva për cilësinë.
“Cilësia e cila ofrohet në të gjitha institucionet tona arsimore nuk mendoj që na si ti rinj e meritojmë një cilësi kaq të dobët”, ka thënë Denis Krasniqi.
I gëzuar që Universiteti i Prishtinës nuk u përfshi në greva po shprehet studenti tjetër, Bleron Beka.
“Ka pasur indikacione që edhe profesorët kanë me hy në greva por kjo është përparsi për neve. Profesorët e filozofikut nuk kanë përmendur që do të grevojnë kështu që shumë mirë qe filloi gjithçka me kohë dhe nuk ka pasur asnjë telash”, ka rrëfyer studenti Bleron Beka.
Se gjithçka ka filluar pa asnjë telash po e thotë edhe prorektorja për arsim, Mimoza Ibrani.
“Sot kemi vizituar njësitë akademike dhe ishin duke organizuar sesione informuese për student të vitit të parë, orarët janë publikuar, pra të gjitha obligimet janë bërë me kohë”, ka treguar prorektorja e arsimit Mimoza Ibrani.
Ajo tregoi se në cilin fakultet kishte më së shumti interesim nga studentët.
“Në nivelin bachelor fakulteti më i kërkuar ka qenë fakulteti i mjeksisë ndërsa në nivelin mastër fakulteti i edukimit”, ka treguar Ibrani.
Sivjet UP-së i janë bashkuar mbi 4 mijë e 100 studentë të rinj, në mesin e të cilëve 45% e tyre janë studentë me notë mesatare 5.0 të shkollimit të mesëm.