Gazeta britanike “Financial Times” ka bërë një korrigjim në një intervistë të kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, lidhur me situatën në veriun e Kosovës.
Në një postim në platformën e tyre të njohur, gazetari Marton Dunai ka sqaruar se pjesa kur Rama përdori shprehjen “toka e askujt” kishte të bënte me veriun e Kosovës dhe jo me tërë territorin e Republikës së Kosovës.
“E kemi ndryshuar këtë artikull për të sqaruar se kryeministri shqiptar Edi Rama po fliste për problemet në veri të Kosovës, jo në të gjithë vendin”, ka shkruar ai.
We have amended this article to clarify Albanian PM @EdiRamaPM was discussing troubles in Northern Kosovo, not the entire country.https://t.co/c6vXO9A5rp via @ft
— Marton Dunai (@mdunai) October 4, 2023
“Kosova është një pikë e nxehtë. Me kalimin e viteve është bërë një tokë e askujt ku të gjitha llojet e krimeve kombinohen me nacionalizmin në rritje. Kufiri mes krimit dhe politikës është zbehur”, thuhej në artikullin e prestigjiozes britanike, të ketë thënë Rama.
Ndërsa, tashmë në artikullin e rishikuar të Financial Times, thuhet se Rama deklaroi: “Veriu i Kosovës është shndërruar në një tokë të varur prej të gjithëve, ku krimet kombinohen me nacionalizmin e rritur. Kufiri mes krimit dhe politikës është bërë i pazbuluar”.
Ndryshe, Rama kishte bërë thirrje që KFOR-i ta marrë kontrollin e veriut të Kosovës për të parandaluar ndonjë konflikt më të madh, që, sipas tij, sot është më i mundshëm se asnjëherë më parë.
Në një konferencë për media më 28 shtator, Rama ka thënë se një gjë të tillë e ka propozuar edhe në samitin e NATO-s.
Ndërkaq, pas reagimeve të shumta rreth kësaj thirrjeje, kryeministri shqiptar ka reaguar edhe njëherë duke theksuar se kërkesa e tij ka të bëjë pasi që KFOR-i është NATO dhe jo “një forcë pushtuese për llogari të Serbisë”.
Tutje, Rama i ka cilësuar si qesharake reagimet ndaj deklaratës së tij.