Finlanda është bërë anëtarja më e re, e 31-ta, e NATO-s, pas mbajtjes së ceremonisë së pranimit të martën, më 4 prill, në Bruksel.
Pranimi i Finlandës është një pengesë për presidentin rus, Vladimir Putin, i cili vazhdimisht është ankuar për zgjerimin e NATO-s përpara pushtimit të tij në shkallë të plotë të Ukrainës.
Gjatësia e kufirit të Rusisë me vendet anëtare të NATO-s tani është dyfishuar.
Finlanda ndan një kufi lindor prej 1 mijë e 340 km (832 milje) me Rusinë dhe zyrtarisht ajo aplikoi me Suedinë për t’u bashkuar me NATO-n majin e kaluar për shkak të luftës së Rusisë.
Ndërkohë, përgjatë së martës, në Helsinki, flamujt e NATO-s janë ngritur së bashku me flamurin kombëtar finlandez para ndërtesës së Ministrisë së Punëve të Jashtme, një ndërtesë që fillimisht u ndërtua për ushtrinë e Perandorisë ruse në shekullin XIX.
Suedia, po ashtu, ka aplikuar për anëtarësim në NATO, në të njëjtën kohë me Finlandën, mirëpo Turqia është duke e bllokuar me arsyetimin se është duke mbështetur “terroristët”.
Si akt të parë pas anëtarësimit, presidenti finlandez ia dorëzoi sekretarit amerikan të Shtetit ratifikimin e kërkesës së Suedisë për anëtarësim në NATO.
Rusia e konsideron zgjerimin e NATO-s si një kërcënim për sigurinë e saj dhe ka thënë se do t’i përgjigjet anëtarësimit finlandez duke rritur kapacitetin e saj ushtarak në rajonet e saj perëndimore dhe veriperëndimore.
Rruga e vështirë për në NATO
Nga frika se do të viheshin në shënjestër të radhës pas pushtimit rus të Ukrainës vitin e kaluar, Finlanda dhe Suedia braktisën pozicionin e tyre tradicional të mosangazhimit ushtarak. Ato aplikuan për anëtarësim në NATO në maj të vitit 2022.
Pranimi i një vendi të ri kërkon unanimitet midis të gjitha vendeve anëtare.
Turqia dhe Hungaria mbetën të lira për muaj të tërë, por parlamentet e të dy vendeve ratifikuan kërkesën e Finlandës në javët e fundit, duke pastruar pengesën e fundit të madhe për vendin për t’u anëtarësuar në NATO.
Anëtarësimi i Suedisë është ende në pritje të ratifikimit turk për shkak të disa pikave ngecëse.
Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, megjithatë, vuri në dukje se “Suedia do të jetë gjithashtu më e sigurt si rezultat” i anëtarësimit të Finlandës.
Ai ka shtuar se ai priste që Suedia të jetë në gjendje të anëtarësohet në NATO së shpejti.