Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, ka mbajtur fjalimin e tij duke uruar ushtrinë ruse për “Ditën e Fitores”, një festë që shënon fitoren e Bashkimit Sovjetik ndaj Gjermanisë naziste në vitin 1945.
Ai gjatë fjalimit të tij ka thënë se tani po zhvillohet një luftë e vërtetë dhe ka pretenduar se Rusia po mbron sovranitetin e saj.
Duke iu drejtuar turmave në Sheshin e Kuq, presidenti Putin ka thënë se “lufta e vërtetë po bëhet kundër atdheut tonë”.
Ai ka shtuar se Rusia dëshiron të shohë një “të ardhme paqësore”, por ka akuzuar elitat perëndimore për mbjelljen e farës së “urrejtjes dhe rusofobisë”.
“Perëndimi dëshiron të shohë rënien e vendit tonë”
Putin vazhdon të ketë në shënjestër perëndimin në fjalimin e tij, duke thënë se “qëllimi i tyre nuk është gjë tjetër veçse të shohin rënien e Rusisë”.
Ndër të tjera, ai ka deklaruar se kujtimi i atyre që mbrojtën atdheun është i shenjtë.
Turmat dhe liderët kanë qëndruar njësoj në Sheshin e Kuq duke respektuar heshtjen, pasi një orë mund të dëgjohet duke trokitur për çdo sekondë që kalon.
Putin rregullisht e krahason qeverinë e zgjedhur në mënyrë demokratike të Ukrainës me nazistët e mundur në Luftën e Dytë Botërore.
Ai nuk është larguar nga skenari i tij as këtë ditë, pasi ka dënuar liderët e Ukrainës si neonazistë gjersa ka folur për një “luftë të vërtetë” që po zhvillohet kundër atdheut mëmë të Rusisë.
“Vetëm Rusia u qëndron besnike arritjeve të Luftës së Dytë Botërore, ndërsa Perëndimi ka harruar se kush i mundi nazistët”, ka argumentuar ai, raporton BBC LIVE.
Rusëve u është thënë gjithmonë se ata fituan Luftën e Dytë Botërore, kështu që nuk është çudi që ai nuk përmend luftën e aleatëve që çliroi Evropën jugore dhe perëndimore nga nazizmi.