Janë të pandehur për vepra penale që lidhen me narkotikë.
Prandaj, shtatë të arrestuarit kultivim, blerje, shpërndarje e posedim të disa llojeve të substancave narkotike janë sjellur të enjten në Gjykatë nën masa të rrepta të sigurisë.
Me të hyrë në Gjykatore, të pandehurit janë përplasur mes vete. Ata janë fjalosur me njëri tjetrin.
Ndaj të gjithëve, Prokuroria Themelore e Pejës ka kërkuar caktimin e masës së paraburgimit.
Në kërkesën e siguruar nga Televizioni Dukagjini, tregohen detaje të asaj që iu zu këtij grupi.
“E.M i janë gjetur dhe sekuestruar vetura Golf 2 e cila është vetura me të cilën është bartur narkotiku nga parcela ku ka qenë tek shtëpia e të pandehurve F. D. dhe Florim G në fshatin Baballoq Komuna e Deçanit. Po ashtu ceket se në total janë sekuestruar 68.49kg substancë e dyshuar narkotike e llojit mariuhanë të cilat kane qenë në proces të tharjes, 177 bimë narkotike të Iloiit kanabis sativa të madhësisë prej 1-3, 5 metra, 421 gram substancë e dyshuar narkotike e llojit kokainë dhe dy armë”, shkruhej në kërkesën e prokurorisë.
Pjesë e grupit prej shtatë personave, ishte edhe një shtetas i Shqipërisë, i cili sipas Prokurorisë ka të kaluar kriminale.
“Kësaj duhet shtuar edhe faktin se i pandehuri G.J është shtetas i Republikës së Shqipërisë, për të cilin do të verifikohet e kaluara e tij kriminale përmes kanaleve diplomatike dhe madje i njëjti në ditën kritike u kishte thënë hetuesve se te nesërme kishte planifikuar që të largohet nga Kosova dhe të shkonte ne Shqipëri”, thuhej më tej.
Aksioni disa orësh në Gjakovë e Deçan është zhvilluar pas hetimeve të Prokurorisë Themelore të Pejës, institucion që paralajmëron aksione të ngjashme në të ardhmen.
“Prokuroria Themelore në Pejë e ka prioritet që të luftohet dukuria negative si në këtë rast që është droga dhe kemi pasur rezultate të kënaqshme këtë muaj dhe besoj që në ditët në vijim do të kemi edhe rezultate të tjera të cilat varësisht nga procesi hetimor, në koordinim me Policinë e Kosovës dhe njësitë përkatëse, besoj se do të arrijmë edhe rezultate konkrete”, ka thënë Zëdhënësi i Prokurorisë, Shkodran Nikçi.
Hetimet Prokuroria i nisi më 22 gusht dhe vlera e sasisë narkotike që është konfiskuar besohet se arrin vlerën e 600 mijë eurove.
Pjesa më e madhe e sasisë, tashmë është asgjësuar nga organet e rendit.