Artistja nga qyteti i Vushtrrisë, Fjolla Ferati është duke i bërë studimet master në “Vizatim dhe Ilustrim” në Akademinë e Arteve të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”.
Pavarësisht se është e re në moshë, ajo ka filluar qysh herët realizimin e veprave artistike, fillimisht me laps. Këtë teknikë ajo e konsideron si të parapëlqyerën e saj.
Më vonë, Fjolla Ferati ka filluar të merret me pikturë.
Për Portalin Dukagjini, artistja nga Vushtrria ka treguar se deri më tani ka realizuar tri ekspozita personale.
Tri ekspozitat personale të artistes janë “ANTARIA”, e cila u ekspozua në Cyrih dhe Gjenevë të Zvicrës dhe “Into the Ocean”. Kjo e fundit u ekspozua në Qendrën e Kulturës “Hasan Prishtina” në Vushtrri.
Ekspozita “ANTARIA” që transmetoi kulturën shqiptare në Cyrih
Fjolla për Portalin Dukagjini ka thënë se ekspozita “ANTARIA” është realizuar në kuadër të Konsullatës së Përgjithshme të Republikës së Kosovës në Gjenevë të Zvicrës. Kjo ekspozitë ka qenë e hapur nga data 20 deri më 24 qershor.
“ANTARIA”, e cila u ekspozua në Gjenevë dhe Cyrih, përmban një cikël prej 10 punimesh me motive tradicionale shqiptare.
“Punimet për ekspozitën “ANTARIA” kanë filluar që nga viti 2019 deri në mars të këtij viti, ku e kam përfunduar ciklin e punimeve”, ka thënë artistja Ferati. Ajo ka treguar se kjo ekspozitë ngërthen motivet dhe traditën shqiptare.
Hapja e ekspozitës së Fjolla Feratit është organizuar nga ambasada e Kosovës në Zvicër, e cila i ka dhënë një mirëpritje të ngrohtë artistes nga Vushtrria.
Për hapjen e kësaj ekspozite në vendet e tjera të Evropës, Ferati ka shtuar se është në komunikim me një galeri të Parisit dhe me ambasadorin e Kosovës në Paris për mundësinë e hapjes së ekspozitës atje.
Artistja, e cila artin e shpreh nëpërmjet ngjyrave, ka rrëfyer se përveç Komunës së Vushtrrisë, nuk ka gjetur përkrahje nga institucionet shtetërore, por shpreson se këtë herë nëse mundësohet ekspozimi i ekspozitës në Paris të Francës të ketë ndihmë nga institucionet shtetërore.
Përveç Parisit, artistja shpreson që këtë ekspozitë ta hapë për publikun e gjerë edhe në vende të tjera evropiane.
Ekspozita “Into the Ocean” me punime abstrakte me ngjyra nga thellësia e detit
Më datën 21 korrik të këtij viti, artistja për Portali Dukagjini ka shpalosur punën e saj, duke treguar për një tjetër ekpozitë personale që përbëhet nga punime abstrakte të dimensioneve të ndryshme me ngjyrat nga thellësia e detit.
Ekspozita “Into the Ocean” është hapur me rastin e Manifestimit të Ditëve të Diasporës në Vushtrri në Qendrën e Kulturës “Hasan Prishtina”.
“Duke falënderuar kryetarin e Komunës së Vushtrrisë, Ferit Idrizi, për mbështetjen e plotë të mbajtjes së ketij eventi, Kuratorin e Ekspozitës, profesorin e akredituar të Akademisë së Arteve në Prishtinë, njëkohësisht edhe mentorin tim Xhevdet Pantina”, shkruan Fjolla Ferati në llogarinë e saj në Facebook.