Njëri nga tre zyrtarët policorë kufitarë që u kidnapuan nga forcat serbe një ditë më parë, është i njëjti që gjatë kohës së barrikadave në dhjetor të 2022-ës kishte mbetur me një grup policësh tjerë i bllokuar në pikën kufitare në Jarinjë për 20 ditë.
Për Dukagjinin ka folur vajza e Beqir Sefës, D.S që thotë se kontakti i fundit me të ka qenë në mëngjesin e së mërkurës, për ta kuptuar më pas rastin përmes mediave.
“Ditën kur ka ndodhë ngjarja ka qenë i angazhuar me orar prej 7:00 në 7:00, orar 12 orësh, qysh është kufiri i paraparë për kufi. Kontakt nuk kemi pasë përveç dje kur ka shku në punë, pas marrjes së informative që 3 policë janë kidnapu. Kemi tentu me e thirrë në telefon, njëherë i ka cingëruar ka pasur valë, por më nuk ka funksionu, deri më kur i kuptuar emrat nga mediat”, ka thënë D.S.
Beqir Sefa që para një kohe kishte pësuar një aksident në krye të detyrës, kohë pas kohe i shfaqeshin probleme serioze me shëndetin, deri në vështirësi të ecjes.
Njëjtë i kishte ndodhur para ca ditësh, ku siç tregon vajza, kishe kërkuar leje për pushim por një gjë e tillë ishte e pamundur në rrethanat aktuale në veri.
“Gjendjen shëndetësore nuk e ka pasë të mirë për shkak që babi në vitin 2017, në krye të detyrës zyrtare ka pësuar aksident rrugor me ç’rast ka marrë lëndime të rënda, thyerje të dy unazave dhe thyerje të krahut. Atëherë ka marrë pushim mjekësor, por vazhdon me pas probleme shëndetësore, sidomos me shpinë. 4-5 ditët e fundit nuk ka qenë mirë me shëndet, 2 ditë para një koleg e ka përcjellur deri në shtëpi, se nuk ka mundur as të ecë. Ka shkuar në punë sepse ska pasë të drejtë dhe nuk ka mundur të marrë pushim për shkak të një plani operativ që është në pjesën veriore dhe nuk ka zëvendësim”, deklaron ndër të tjera D.S.
Sefa një vështirësi e kishte lënë pas vetës edhe dhjetorin e kaluar kur larg familjes qëndroi gati tri javë, i ngujuar në kufirin e Jarinjës, veçse atëherë kishte një dallim, e që ishte mundësia e komunikimit me telefon.
“Prej datës 10 dhjetor deri më 30 dhjetor 2022, babi së bashku me një grup tjetër të policëve kanë mbetur të bllokuar, të ngujuar në pikën kufitare në Jarinje, si pasojë e arrestimit të Pantiqit por edhe vendosjes së barrikadave të grupeve kriminale serbe, atëherë kemi pasur komunikim, sepse kanë pasur valë, por e pati kaluar edhe atë sfidë”, ka thënë për Dukagjinin D.S.
Por aktualisht nuk dinë asgjë për gjendjen e tij, e as të tjerëve, përderisa në shtëpi u ka shkuar kryeministri, Albin Kurti të enjten e u ka premtuar se do të bëjnë maksimumin.
“Tash më herët e patëm në vizitë kryeministrin, ai është zotuar se do të bëjnë përpjekje, me bisedu me Kryqin e Kuq, me i vizitu në ndonjë formë”, ka përfunduar D.S.
Kryeministri i njoftoi familjarët se Zyra Ndërlidhëse e Republikës së Kosovës në Serbi është në kontakt me institucionet atje, në përpjekje për të marrë sa më parë dhe sa më shumë informacione për gjendjen e policëve të rrëmbyer, është thënë në njoftimin e ZKM-së të enjten.