Një fluks i madh i qytetarëve është parë në autobusat e linjës 4, të cilët dërgojnë udhëtarët drejt parkut të Gërmisë, aty ku njëherësh pritet të mbahet festivali “SunnyHill”.
Këtë e ka konfirmuar Portalin Dukagjini, nënkryetari i Komunës së Prishtinës, Alban Zogaj.
“Policia janë në krejt qytetin, në Gërmi ka numra të shtuar të Policisë dhe kjo pjesë e qytetit është më e ngarkuara”, ka thënë Zogaj gjersa ka shtuar se në këtë festival pritet të jenë prezentë mbi 25 mijë persona.
Përveç pjesëtarëve të rendit, do të ketë edhe sigurim privat i cili do të jetë nën menagjimin e “SunnyHill”.
Përveç kësaj, ai ka thënë se pritet që autobusat të merren nga linjat e tjera apo të vihen në shërbim për transportin e qytetarëve.
Ndër të tjera, nënkryetari Zogaj ka bërë të ditur se Komuna e Prishtinës ka ndërmarrur masat që pritet të realizohen pas përfundimit të festivalit, masa që përfshijnë mirëmbajtjen e parkut.
Bëhet e ditur se dy autoambulanca dhe ekipi mjekësor janë marrë nga Qendrat e Mjekësisë Familjare që të jenë në shërbim të pjesëmarrësve të festivalit “SunnyHill”.