Fondaj në Speciale thotë se zyrtarisht s’është akuzuar për shpartallim të UÇK-së në zonën e Suharekës

Dëshmitari Kurtesh Fondaj gjatë dëshmisë së tij në Hagë tha se zyrtarisht nuk është akuzuar për shpartallim të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) në zonën e Suharekës, por jozyrtarisht po.

“Me sa di unë, zyrtarisht jo. Jozyrtasrisht po del që po. Një prej atyre dokumenteve ia kam dhënë edhe unë që është që po. Mirëpo, jo, zyrtarisht nuk kam pas vërejtje, pra në mënyrë zyrtare nuk kam pas vërejtje, por përkundrazi kam pas lëvdata”, tha dëshmitari, duke u përgjigjur në pyetjet e prokurorit Matt Halling.

Lidhur me pretendimet se ai ka luajtur rol në shpartallimin e UÇK-së në këtë zonë, Fondaj tha se ai nuk ka hyrë në Ushtri për ta dëmtuar, por ka dhënë më të mirën e mundshme.

“Unë nuk kam hy në UÇK ta dëmtoj atë, por përkundrazi ta jap më të mirën më të mundshme. Vetëm në rrethanat ku e përmenda realisht nuk kam vepru me nofkë, kam vepru me emër dhe mbiemër dhe kam qenë i vetëdijshëm për pasojat që mund t’i bartë në rast se dështon UÇK-ja. Unë kam besu fuqishëm në UÇK dhe jam mundu me e dhënë më të mirën e mundshme. Mirëpo, ne e kemi një shprehje ‘edhe dielli nuk nxen njësoj për të gjithë’, prandaj në kontest të saj a ka pas dikush që ka dhënë vërejtje në punën time është krejt normale. Mirëpo, misioni jem nuk ka qenë me e shkatërru atë, por me e fuqizu atë dhe me e dhënë kontributin më të mirë të mundshëm”, tha ai.

Kur u pyet për dokumentin për të cilin tha se Zyrës së Prokurorit të Specializuar ia ka dhënë vetë ai, Fondaj tha se bëhet fjalë për dokumentin që ka përgatitur Halil Çadraku bashkë me Sadik Halitjahën.

Për Çadrakun, dëshmitari tha se ka qenë përgjegjës për sektorin për Zbulim dhe Kundërzbulim (ZKZ).

Për ZKZ-në, dëshmitari u pyet se a njihet edhe si Shërbim i Inteligjencës apo Informativ.

“Unë nuk i di këto realisht në kuptim. Në fazën kur kam qenë si shef shtabi ne e kemi titullu si Zbulim-Kundërzbulim”, u përgjigj dëshmitari.

Më pas, atij iu prazantua një dokument i cili supozohet të tregonte për një takim të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së në Divjakë në janar të 1999-ës, në të cilën sipas prokurorit thuhet se Kurtesh Fondaj ka thënë se nuk kanë çka lypin aty ‘gjarpna’ dhe se ata e njohin vetëm Bislim Zyrapin.

“Nuk besoj. Për mua, realisht anëtarët e Shtabit të Përgjithshëm kanë qenë njerëz me autoritet te unë shumë të respektum. Njerëz të respektum dhe jam mundu me qenë shumë korrekt. Po kam bindjen që edhe ata kanë qenë shumë korrket në raport me mu dhe nuk është në stilin dhe natyrën time me fol me këtë fjalor”, tha Fondaj.

Pas kësaj, dëshmitarit iu prezantua edhe një dokument që supozohet që në atë takim është thënë diçka për Thaçin, fjalë të cilën e quajti “skandaloze”.

Ish-komandanti i UÇK-së thotë se në Zonën Operative të Pashtrikut kanë përdorur protokolle strikte

Fondaj tha se gjatë dhjetorit 1998 dhe fillimit të viti 1999 kanë mbajtur një protokoll strikt në Zonën Operative të Pashtrikut sa ai ishte shef i shtabit të kësaj zone.

“Në fazën e dhjetorit, në fund të dhjetorit sidomos në janar-shkurt ne kemi mbajtë një protokoll shumë strikt në Zonën Operative të Pashtrikut”, tha dëshmitari duke shtuar se nuk e mbanë mend numrin  e protokollit.

Më pas dëshmitarit iu prezantua një urdhëresë për të cilën tha se qëndron prapa saj dhe se në periudhën e lartpërmendur ka pasur shumë urdhëresa dhe rregullore brenda zonës në mënyrë të funksionimit më të  mirë të ushtrisë.

Vlen të theksohet se prokurori Matt Halling tha se për pyetjet e tij i duhen edhe gjysmë orë kohë./Betimi për Drejtësi

 

Shija e redaktorit

Të martën “Dukagjini” promovon librin “Kape Lepurin” të Lana Bastašić-it

Për të gjithë ju dashamirë të librit, shtëpia botuese “Dukagjini” ka njoftuar se më 26 nëntor, ditën e martë, në orën 18:00, në librarinë...

Hamza: Me Fondin e Papunësisë do t’i mbështesim të gjithë...

Kandidati i PDK-së për Kryeministër, Bedri Hamza, ka dhënë një lajm të mirë për të gjithë punëtorët që i humbin vendet e punës. “Me...

Shtëpia Botuese “Dukagjini” Promovon në Tiranë serinë e Lektyrave Shkollore

Në ditën e katërt të edicionit të 27-të Panairit të Librit në Tiranë, Shtëpia Botuese “Dukagjini” promovoi serinë e lektyrave shkollore, e cila këtë...

Të fundit nga rubrika